Lista Serbe ka vendosur sot që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.
Lajmi u njoftua nga kreu i Listës Serbe Goran Rakiç, i cili tha se edhe ai vetë ka hequr dorë nga pozita e ministrit që mban në Qeverinë e Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri.”- ka thënë Rakiç pas takimit në Zveçan.
Ky vendim vjen si shenjë revolte ndaj vendimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për targat dhe për vendimin për pezullimin e drejtorit rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriç.
Pas vendimit, eprorët që punojnë në Policinë e Kosovës e që kanë qenë të pranishëm në këtë takim kanë zhveshur menjëherë uniformat e tyre.