Kryeministri britanik Rishi Sunak thotë se njerëzit nuk mund të presin që shteti “të rregullojë çdo problem”.
Në intervistën e tij për “The Times”, Sunak pranoi se besimi në Partinë Konservatore ishte dëmtuar nga buxheti i paraardhësës së tij Liz Truss.
Sunak tha se inflacioni është ‘armiku numër një’ teksa u zotua të rindërtojë besimin te qeveria pas qëndrimit të shkurtër të Truss në krye.
Kryeministri britanik tha se ai e kuptonte ‘ankthin‘ që po përjetonin familjet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar mes inflacionit në rritje dhe një krize të kostos së jetesës.
Ai tha: “Është e drejtë që ne jemi të sinqertë për kompromiset me të cilat përballemi – të gjithë tani flasin për huamarrjen, të gjithë e vlerësojnë se qeveria nuk mund të bëjë gjithçka.
Si mundet të bëjë qeveria gjithçka? E bën vetëm duke marrë hua para, gjë që në fund çon në, siç e pamë, inflacion të lartë, humbje të besueshmërisë, rritje të normave të interesit.”
Sunak shtoi: “Duhet të siguroheni që ndërsa po i bëni gjërat, po i bëni në një mënyrë që është e drejtë dhe e sinqertë me njerëzit që, natyrisht, asnjë qeveri nuk mund të zgjidhë çdo problem. Jeta nuk është aq e thjeshtë.”
Kryeministri tha gjithashtu se ai njeh shqetësimet e familjeve në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar që përballen me rritje të faturave të tyre mujore të hipotekave. Ai pranoi gjithashtu se, konservatorët duhet urgjentisht të rindërtojnë besimin e publikut, ndërsa shtoi se çështja kryesore që e preokupoi gjatë 48 orëve të fundit ishte kriza e emigrantëve në Kanalin Anglez.