Vendosni fjalën kyçe....

Rrëzohet helikopteri me 7 persona në bord në Itali, asnjë i mbijetuar


Një helikopter me 7 persona në bord është rrëzuar këtë të shtunë në Puglia, në Itali.

Agjencia e lajmeve ANSA shkruan se helikopteri i zhdukur që nga mëngjesi i sotëm është gjetur mes San Severo dhe Apricena.

Kjo u bë e ditur nga nënkryetari i Rajonit të Puglias Raffaele Piemontese.

Të shtatë personat në bord kanë humbur jetën. Sipas medias italiane, në bordin e helikopterit të rrëzuar ishin një familje turistësh sllovenë, me një vajzë 13-vjeçare.

Familja nga Lubjana kishte mbërritur dje në Ishujt Tremiti dhe duhej të kthehej në Foggia në mbrëmje, por për shkak të kushteve të këqija moti udhëtimi ishte shtyrë për sot.

Katër turistë sllovenë, të gjithë anëtarë të së njëjtës familje: Bostjan Rigler, 54 vjeç; Jon Rigler, 44 vjeç; MatejaCurk Rigler, 44 vjeç; Liza Rigler, 13 vjeçe.

Në bord ishte gjithashtu Maurizio De Girolamo, 64 vjeç, një mjek që po kthehej në shtëpi pas turnit të tij në Tremiti, dhe pilotët Luigi Ippolito dhe Andrea Nardelli.