Vendosni fjalën kyçe....

Argjentina i kërkon Britanisë rikthimin e Ishujve Falkland


Ministria e Jashtme e Argjentinës kërkoi që Britania të respektojë një rezolutë të OKB-së dhe të rifillojë bisedimet për sovranitetin e ishujve Malvinas (Falkland). Kërkesa erdhi pasi Londra ra dakord të bisedonte me Mauritius për të ardhmen e ishujve Chagos.

Sekretari i Jashtëm britanik James Cleverly tha se Mbretëria e Bashkuar dëshiron të ‘zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura’ me Mauritius mbi Arkipelagun Chagos, një territor britanik në Oqeanin Indian që nga viti 1814 që mbeti nën kontrollin britanik pasi Mauritius fitoi pavarësinë nga Britania në vitin 1968. E anashkaluar nga Londra për dekada, një rezolutë e OKB-së e detyron Britaninë të arrijë një marrëveshje me Mauritius për ishujt në fjalë.

Guillermo Carmona, një zyrtar në Ministrinë e Jashtme të Argjentinës, tha se vendimi i Britanisë për të hyrë në bisedime me Mauritius shënon ‘një ditë të rëndësishme për të gjithë popujt që luftojnë për t’i dhënë fund kolonializmit’.

Carmona tha se ashtu siç po nderon rezolutën e OKB-së për Ishujt Chagos, Britania ‘duhet të pajtohet me rezolutën 2065 për çështjen e Malvinas’. Rezoluta në fjalë i bën thirrje Londrës dhe Buenos Aires-it të negociojnë sovranitetin mbi ishujt, të cilët Argjentina i quan Malvinat dhe Britania e Madhe, Falklands.

Britania i ka administruar ishujt që nga viti 1833 dhe fitoi një luftë me Argjentinën për ta në vitin 1982. Argjentina ende pretendon sovranitetin mbi arkipelagun, duke argumentuar se i mori ato nga Spanja kur fitoi pavarësinë e saj në vitin 1816.

Ndërsa Argjentina i bën thirrje të rregullta Britanisë për të respektuar rezolutën 2065, Britania e Madhe kundërshton. Britania këmbëngul se një referendum i vitit 2013 – në të cilin gati 100% e 3,400 banorëve të ishujve votuan për të mbetur një territor britanik jashtë shtetit – i bën negociatat të pakuptimta.