Bashkimi Evropian i bëri thirrje SHBA-së që të ndryshojë disa përfitime tatimore të përfshira në legjislacionin e gjelbër të miratuar së fundmi duke pasur parasysh atë që e quajti natyrë diskriminuese dhe paralajmëroi për hakmarrje të mundshme.
Blloku dëshiron që Uashingtoni të heqë kërkesat diskriminuese të përmbajtjes dhe prodhimit në Aktin e Reduktimit të Inflacionit dhe të marrë të njëjtin trajtim si partnerët e tjerë tregtarë të SHBA-së.
Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë transparencë në kreditë tatimore dhe për t’u siguruar që subvencionet të mos krijojnë efekte negative, sipas një dokumenti.
Masat e SHBA rrezikojnë ‘të krijojnë tensione që mund të çojnë në masa të ndërsjella ose hakmarrëse’, shton dokumenti.
Zyrtarë të lartë të BE-së dhe SHBA-së u takuan të premten për të diskutuar shqetësimet e Evropës në një përpjekje për të shmangur një luftë të mundshme tregtare.
Zyrtarët e BE-së kishin thënë se blloku dëshiron ta zgjidhë mosmarrëveshjen në një mënyrë miqësore, duke shtuar se Evropa duhet të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të adresuar ato që ajo i quan subvencione të padrejta, duke përfshirë edhe çuarjen e çështjes në Organizatën Botërore të Tregtisë.