Kryetarët e komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë thënë të dielën dorëheqje para kuvendeve përkatëse.
Njëjtë kanë vepruar edhe këshilltarët në kuvendet komunale nga radhët e Listës Serbe.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Beogradit.
Një ditë më parë, më 5 nëntor, kjo parti ka njoftuar për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Goran Rakiç, kryetari i Listës Serbe, ka thënë më 5 nëntor se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit.