Partia e Emma Boninos nuk e fsheh financimin e marrë nga George Soros: “Ai mbështet betejat tona, ne ndajmë të njëjtat vlera politike.” – thotë ajo.
Në Italia kanë shpërthyer polemika së fundmi pasi partia ‘Piu Europa’ nuk e ka mohuar të ketë marrë fonde nga George Soros. Konkretisht, Soros financoi disa kandidatë të partisë së Emma Boninos me rastin e fushatës elektorale për zgjedhjet politike.
Piu Europa jo vetëm e ka konfirmuar këtë, por e ka pohuar publikisht përmes një postimi në faqen e saj në Facebook.
Partia e Emma Boninos theksoi se me Sorosin ‘ndan më mënyrë të konsoliduar e të qëndrueshme vlerat politike liberale e demokratike’, edhe sepse në bazë ka një konvergjencë të plotë mbi ‘vizionin pro-evropian’.
Në mënyrë të ngjashme Piu Europa theksoi me krenari se vazhdon të marrë mbështetjen e Soros në betejat ‘për të drejtat e njeriut e civile, për anti-prohibicioniizmin, për sundimin e ligjit’.
“Dhe ne e falënderojmë për atë që bën”, thuhet në përfundimin e postimit.
Buja politike u ngrit nga deklaratat e Carlo Calenda, i cili në librin e Bruno Vespës ‘Stuhia e madhe. Musolini, lufta civile. Putin, shantazhi bërthamor. Kombi i Giorgia Melonit’, zbuloi se si George Soros kishte subvencionuar ‘me 1 milionë e gjysmë euro ‘ partinë Piu Europa.
Polemika politike
Nga partia e Ema Boninos theksohet se fondet e marra do bëhen publike në kohën dhe në mënyrën e përcaktuar nga ligji së bashku me raportet zgjedhore. Sekretari Benedetto Della Vedova foli për kontribute të drejtpërdrejta publike, duke konfirmuar se disa kandidatë të Piu Europas-s kanë marrë fonde nga Soros.
Rasti ka qenë në qendër të një polemike politike ditët e fundit. Maurizio Gasparri u interesua për aferën në fjalë dhe kërkoi të kishte një pamje më të qartë dhe më transparente të asaj që ndodhi në të vërtetë.
Senatori i Forza Italia ishte i prirur të sqaronte se ‘nuk ka asgjë të paligjshme në marrjen e kontributeve nga Soros, padyshim nëse bëhet brenda procedurave të përcaktuara me ligj’, por vuri në dukje se do ishte e nevojshme ‘të dihet se kush mbështetet nga Soros, një personazh, sjellja e të cilit ka qenë shpesh në qendër të polemikave’.
Ndërkohë ministri i Infrastrukturës Matteo Salvini tha se është shumë e rëndë që ‘spekulatorët e huaj për interesa partiake financojnë politikanë italianë, padyshim të majtë’.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e IlGiornale
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani