Vendosni fjalën kyçe....

Kalimi te makinat elektrike mund të çojë në humbjen e 600 mijë vendeve të punës në BE


Kalimi i BE-së drejt makinave elektrike mund të çojë në humbjen e 600,000 vendeve të punës në të gjithë bllokun, ka paralajmëruar Komisioneri për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton.

Zyrtari po komentonte planin e bllokut për t’u kërkuar prodhuesve të makinave të arrijnë një ulje 100% të çlirimit të dioksidit të karbonit deri në vitin 2035, gjë që do ndalonte në mënyrë efektive shitjen e makinave të reja me benzinë ​​e naftë në bllok.

“Sektori evropian i automobilave punëson 12.7 milionë njerëz në një formë ose në një tjetër, që përfaqëson 6.6% të të gjithë punësimit në BE. Kalimi te makinat elektrike do shkatërrojë qindra mijëra vende pune, deri në 600,000 në të gjithë BE-në.” – tha Breton në një intervistë me gazetën Corriere della Sera, të publikuar të premten.

Ai e quajti kalimin, ‘shndërrimin më të madh industrial’ me të cilin po përballet BE

-ja, veçanërisht duke marrë parasysh afatet e shkurtra.

Plani u vulos javën e kaluar me një marrëveshje paraprake të arritur mes negociatorëve nga vendet anëtare të BE-së, Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian. Ai tani do kërkojë miratimin zyrtar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së për t’u kthyer në ligj.

Ndërsa afati kohor për miratimin e rregullores është i paqartë, Breton tha se ka në plan të ngrejë një grup pune të posaçëm të përbërë nga përfaqësues nga industria e automobilave, sindikatat e punëtorëve, konsumatorët dhe prodhuesit e energjisë elektrike për të zgjidhur çështjet praktike. Për shembull, ai tha se numri i pikave të karikimit në BE është aktualisht shumë i vogël dhe nevojitet një rrjet në të gjithë bllokun.

Grupi i punës do shqyrtojë gjithashtu burimet e nevojshme për prodhimin e baterive, do kërkojë mënyra për të ndihmuar ata që humbasin punën për shkak të kalimit te makinat elektrike të gjejnë punë të reja dhe të analizojë mënyra për t’i bërë makinat elektrike më të disponueshme për konsumatorët. Breton vlerëson se deri në vitin 2050, vetëm 20% e makinave në përdorim brenda BE-së do të funksionojnë me motorë me djegie të brendshme.