Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin deklaroi të enjten se çdo sulm bërthamor kundër SHBA-së ose aleatëve të saj nga Koreja e Veriut ‘është i papranueshëm dhe do çojë në fundin e regjimit të Kim’. Me Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut që po zhvillojnë stërvitje ushtarake, Pheniani ka lëshuar qindra predha, duke përfshirë një raketë balistike ndërkontinentale.
Austin dha paralajmërimin e tij në një komunikatë të përbashkët me ministrin e Mbrojtjes të Koresë së Jugut, Lee Jong-sup, duke shpjeguar se SHBA do e mbronte Korenë e Jugut ‘duke shfrytëzuar gamën e plotë të aftësive të mbrojtjes, duke përfshirë aftësitë e mbrojtjes bërthamore, konvencionale dhe raketore’.
Strategjia e Mbrojtjes Kombëtare e SHBA, e botuar javën e kaluar, thotë se strategjia e Uashingtonit për Korenë e Veriut pranon se ‘nuk ka asnjë skenar në të cilin regjimi i Kim mund të përdorë armë bërthamore dhe të mbijetojë’.
Forcat e armatosura të SHBA-së dhe Koresë së Jugut kanë marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta ushtarake që nga e diela, duke përfshirë qindra avionë dhe mijëra trupa luftarake nga të dy vendet. Koreja e Veriut i sheh stërvitjet si provokime dhe përgatitje për pushtim.
Koreja e Veriut, e cila ka rritur testimin e raketave muajt e fundit, iu përgjigj stërvitjeve duke gjuajtur rreth 100 predha artilerie dhe gjashtë raketa balistike në detin midis gadishullit Korean dhe Japonisë të mërkurën. Republika Popullore Demokratike e Koresë testoi gjithashtu një raketë balistike ndërkontinentale të enjten në mëngjes, testi i saj i parë i tillë që nga viti 2017.