Vendosni fjalën kyçe....

Prodhuesi më i madh francez i xhamit ndalon prodhimin për shkak të rritjes së çmimit të energjisë


Prodhuesi më i madh francez i xhamit, Duralex, ka pezulluar punën për pesë muaj për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, tha drejtori i kompanisë Jose Luis LLacuna për kanalin televiziv BFM.

“Faturat tona të gazit dhe energjisë elektrike janë rritur nga 3 në 13 milionë euro në vit. Çmimi i energjisë zakonisht përfaqëson 5% deri në 7% të qarkullimit tonë. Sot është rreth 46%.” – shpjegoi Llacuna, duke shtuar se funksionimi i kompanisë ishte bërë ‘i pamundur’ pasi ajo nuk është në gjendje të fitojë më me rritjen e shpenzimeve të tilla marramendëse për energjinë, përveç pagesës së pagave dhe blerjes së lëndëve të para.

Ai shtoi se gjatë mbylljes pesëmujore, punonjësit e Duralex do vazhdojnë të marrin 95% të pagave të tyre, 70% e të cilave do të mbulohen nga shteti.

Kreu i kompanisë vuri në dukje se magazinat e saj janë të pajisura mjaftueshëm për t’i mbijetuar dimrit dhe të mos shkaktojnë mungesë të mallrave të saj në treg.

Më herët, shkritorja më e madhe e aluminit në Francë, Aluminium Dunkerque, tha se do të ulë prodhimin me rreth 20% për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë. Një tjetër prodhues xhami, Arc, tha gjithashtu se do ulte prodhimin dhe do zhvendoste një numër punonjësish në punë me kohë të pjesshme.