Vendosni fjalën kyçe....

Trump, Biden e Obama ‘përplasen’ në shtetin kyç dy ditë para zgjedhjeve afatmesme


Pensilvania, një shtet kyç që ka të ngjarë të vendosë se kush do e kontrollojë Senatin e SHBA-së, u bë një fushë beteje mes demokratëve e republikanëve mbrëmjen e djeshme, kur Presidenti Joe Biden u bashkua me ish-shefin e tij Barack Obama ndërsa ish-Presidenti Donald Trump bënte fushatë në anën tjetër.

Biden, Obama e Trump u kërkuan votuesve të mbështesin kandidatët nga partitë e tyre, por për arsye shumë të ndryshme.

Kandidati republikan Mehmet Oz është në një betejë të ngushtë me Guvernatorin demokrat John Fetterman për vendin e Senatit të Pensilvanisë që po lirohet nga Senatori republikan në pension Pat Toomey.

“Çdo amerikan liridashës duhet të kuptojë se koha për t’i bërë ballë kësaj tiranie në rritje të krahut të majtë është tani.” – tha Trump.

“Nëse doni të ruani të drejtat dhe liritë tuaja, duhet të filloni duke kritikuar e goditur të majtën radikale në këto zgjedhje të ardhshme të martën.”

Trump kritikoi administratën Biden për shumë nga politikat e saj, duke përfshirë çështjen e kufijve dhe shtytjen që njerëzit të blejnë makina elektrike të shtrenjta.

Ish-presidenti kritikoi gjithashtu vërejtjet e diskutueshme të Joe Biden në lidhje me uzinat e qymyrit të premten, duke thënë se ishte një ‘shuplakë në fytyrë’ për industrinë e qymyrit të shtetit.

Trump gjithashtu i karakterizoi politikat dhe veprimet e administratës së Biden si ‘armiqësore ndaj lirisë e besimit’.

“Para syve tanë, Biden dhe drejtuesit e tij të krahut të majtë po e kthejnë Amerikën në një shtet policor, njësoj me vendet komuniste. Kjo është ajo që po ndodh.” – tha Trump.