Vendosni fjalën kyçe....

U pezullua nga peshkopi pasi kritikoi abortin e homoseksualitetin, prifti irlandez refuzon të tërhiqet


Një prift katolik irlandez ka refuzuar të tërhiqet pasi u censurua nga peshkopi i tij për dënimin e ‘mëkateve’ të abortit dhe homoseksualitetit.

Prifti pohon se pikëpamjet e tij janë në përputhje me mësimet e Kishës dhe se zëvendëskryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, do digjet në ferr për shkak se është homoseksual.

Ati Sean Sheehy, një banor i Listowel në Kontenë Kerry, shkoi më meshë e u ngjit në foltore duke dënuar mëkatin ‘të shfrenuar’ në shoqërinë irlandeze. Kjo bëri që disa persona nga ata që ishin në meshë të dilnin jashtë.

“Ajo që është kaq e trishtueshme sot është se ju rrallë dëgjoni për mëkatin, por ai është i shfrenuar.” – deklaroi ai. “Ne e shohim atë, për shembull, në legjislacionin e qeverisë. Ne e shohim në nxirtjen e abortit. Ne e shohim atë në shembullin e kësaj qasjeje të çmendur të transgjinorizmit. Ne e shohim atë, për shembull, në nxitjen e seksit mes dy burrave ose mes dy grave. Ky është mëkat, është mëkat i rëndë.” – vazhdoi ai, duke shtuar se ‘mëkati të çon në ferr’.

Dikur një shoqëri e fortë katolike, Irlanda legalizoi martesat e homoseksualëve në 2015 dhe hoqi ndalimin e saj kushtetues për abortin në 2018. Të dy vendimet u morën pas referendumeve popullore.

Peshkopi Ray Browne i Kerrit më vonë u kërkoi falje ‘të gjithë atyre që u fyen’ nga predikimi i Sheehy-t. Në një deklaratë të botuar në faqen dioqezane, Browne tha se pikëpamjet e Sheehy ‘nuk përfaqësojnë pozicionin e krishterë’.

Browne më vonë tha për Radio Kerry se Sheehy ishte ndaluar të jepte meshë në dioqezë. Në një intervistë me të njëjtin radiostacion të martën, Sheehy këmbënguli se ai nuk bëri asgjë të keqe dhe se pikëpamjet e tij për mëkatin ishin në përputhje me Katekizmin e Kishës Katolike.

Duke folur për RTE Radio, Sheehy tha se politikanët homoseksualë si Varadkar do shkonin ‘absolutisht’ në ferr nëse nuk pendoheshin.

Ministri i Jashtëm irlandez Simon Coveney i bëri thirrje Sheehy-t të tërhiqte vërejtjet e tij, ndërsa një zëdhënës i Varadkar tha se megjithëse zëvendëskryeministri ‘nuk pajtohet thellësisht me pikëpamjet e At Sheehy’, ai ‘respekton të drejtën e tij për të shprehur lirisht bindjet e tij fetare’.

Katekizmi i Kishës Katolike, i cili përmbledh besimet kryesore të Kishës, i përshkruan aktet homoseksuale si ‘akte të shthurjes së rëndë’ që bien ‘në kundërshtim me ligjin natyror’. Libri thotë se homoseksualët ‘duhet të pranohen me respekt, dhembshuri dhe ndjeshmëri’, por të nxiten të frenojnë dëshirat e tyre.