Vendosni fjalën kyçe....

Vendi i BE-së do kërkojë falje për skllavërinë – Media


Qeveria holandeze planifikon të kërkojë një falje zyrtare muajin e ardhshëm për përfshirjen e saj historike në tregtinë e skllevërve, raportoi RTL, duke cituar burime.

Sipas medias, qeveria synon gjithashtu të krijojë një ‘fond të ndërgjegjësimit për skllavërinë’ prej 200 milionë eurosh, që do financojë projektet përkatëse dhe programet e dedikuara shkollore. 27 milionë euro shtesë do ndahen për të krijuar një muze të skllavërisë, thanë burimet e RTL.

Lëvizja e qeverisë është një përgjigje zyrtare ndaj një raporti të vitit të kaluar nga Grupi i Dialogut mbi Historinë e Skllavërisë. Komisioni, i cili u krijua nga Ministria e Brendshme, rekomandoi që kryeministri Mark Rutte të njohë dhe të kërkojë falje për skllavërinë e kaluar.

“Nga njëra anë, njohja do t’u japë kënaqësi atyre që vuajtën nën skllavërinë dhe nga ana tjetër, do nxisë një pikëpamje kritike të historisë holandeze në një kuptim më të gjerë.” – tha grupi asokohe.

Kërkimi formal i faljes, i cili nuk pritet deri në mes të dhjetorit, thuhet se do mbështetet nga shumica e deputetëve dhe partitë kryesore parlamentare tashmë i kanë bërë thirrje qeverisë të mbajë një qëndrim.

Në korrik 2021, kryebashkiakja e Amsterdamit, Femke Halsema, kërkoi zyrtarisht falje për ‘përfshirjen aktive’ të qytetit ‘në sistemin tregtar të skllavërisë koloniale’.

Midis shekujve 16 dhe 19, Holanda mbajti koloni në rajonet e njohura sot si Indonezia, Afrika e Jugut, Curaçao dhe Guinea e Re. Ishte një nga vendet e fundit që shfuqizoi skllavërinë, duke e bërë këtë në vitin 1863 në koloninë e saj kryesore të Surinamit në Amerikën e Jugut. 2023 do shënojë 150 vjet që kur Holanda liroi dhjetëra mijëra skllevër atje dhe në ishujt holandez të Karaibeve.

Në shtator, gjatë një vizite të shkurtër zyrtare në Surinam, kryeministri Rutte tha se ‘është koha e duhur’ për njohjen e skllavërisë.