Të paktën 13 persona kanë humbur jetën nga një zjarr masiv që shpërtheu në një klub nate në qytetin rus Kostroma në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Autoritetet lokale dyshojnë se dekorimet e tavanit morën flakë. Raportet e mediave sugjerojnë se një përleshje i parapriu tragjedisë.
“Për momentin, të gjitha mjediset e klubit ‘Poligon’ janë ekzaminuar, mbeturinat ende nuk janë pastruar në disa vende.” – tha një përfaqësues lokal i shërbimeve të urgjencës për agjencinë e lajmeve TASS.
Ai shtoi se 13 persona humbën jetën për shkak të zjarrit. Guvernatori i rajonit Kostroma, Sergej Sitnikov, konfirmoi numrin e të vdekurve në Telegram, duke shtuar se pesë persona të tjerë kishin pësuar lëndime të lehta të cilat nuk kërkonin shtrimin në spital.
Shërbimet lokale të urgjencës zbuluan se u duhej të evakuonin 250 persona nga klubi i natës, së bashku me 15 banorë nga një bllok apartamentesh aty pranë, përpara se të arrinin të shuanin flakët.
TASS, duke cituar zyrtarë anonimë, raportoi se zjarri filloi pasi një pjesëmarrës i festës qëlloi me armë zjarri brenda ambienteve. Sipas disa burimeve, zjarrit i ka paraprirë një sherr, por dy incidentet nuk kanë pasur lidhje.