Vendosni fjalën kyçe....

Ish-kryeministri i Pakistanit njofton rifillimin e marshimit të gjatë antiqeveritar


Ish-kryeministri i Pakistanit Imran Khan tha se marshimi i tij antiqeveritar në kryeqytetin Islamabad do rifillojë të marten, nga e njëjta pikë ku u sulmua dhe u plagos të enjten.

Ai dha një konference shtypi të dielën në spitalin ‘Shaukat Khanum’ në qytetin verilindor të Lahores ku po mjekohet, Khan tha se marshimi do zgjasë edhe 10 deri në 14 ditë të tjera për të arritur në qytetin garnizon të Raëalpindi, i cili kufizohet me Islamabadin, ku ai vetë do bashkohet me marshuesit për të lëvizur drejt kryeqytetit.

Khan kishte anuluar ‘marshimin e gjatë’ të enjten pas një atentati të dështuar ndaj tij në distriktin Wazirabad të provincës verilindore Punjab, i qeverisur nga partia e tij e qendrës së djathtë Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI).

Ai u plagos në këmbë pasi ndaj tij e zyrtarëve të tjerë u qëllua me armë teksa qëndronin sipër një kamioni. Të paktën një person u vra dhe mbi një duzinë të tjerë, duke përfshirë dy ligjvënës, u plagosën në sulmin që shkaktoi protesta në vend e u dënua nga vende të ndryshme.

“Një det njerëzish nga i gjithë vendi do mbushet me Raëalpindi.” – tha Khan, i veshur me një fustan spitali blu dhe i shtrirë në një karrige, duke shtuar: “Deri atëherë, unë do i drejtohem marshimit çdo ditë nga këtu.”

Khan u zhvendos në shtëpinë e tij në Zaman Park, Lahore pasi u nxorr nga spitali, raportoi Geo News.

Ai përshëndeti formimin e një Komisioni të Gjykatës së Lartë të propozuar nga kryeministri Shehbaz Sharif për të hetuar atentatin e dështuar, një kërkesë që ish-kryeministri e ka bërë herë pas here.

Megjithatë, ai këmbënguli se një hetim ‘i drejtë’ nuk është i mundur derisa kryeministri Sharif, ministri i Brendshëm Rana Sanaullah dhe një zyrtar i lartë i inteligjencës, të cilin ai e ka akuzuar si të përfshirë në tentativën për vrasje, të japin dorëheqjen.

Qeveria dhe ushtria e fuqishme e vendit i kanë mohuar akuzat.

“Allahu më ka dhënë një jetë të re. Ju siguroj se do të vazhdoj luftën time, përgatituni për thirrjen time.” – tha ai.

Khan nisi ‘marshimin e gjatë’ më 28 tetor në një përpjekje për të shtyrë qeverinë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Qeveria e Sharifit thotë se nuk do të ketë votim të parakohshëm dhe zgjedhjet e ardhshme do të mbahen siç ishte planifikuar, në fund të vitit 2023.

Khan u rrëzua nga posti i kryeministrit në prill pasi një mocion mosbesimi u miratua në parlament.

Ai fajësoi për përmbysjen e tij një komplot të mbështetur nga SHBA-ja, një pretendim që Islamabadi dhe Uashingtoni e kanë hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur.