Vendosni fjalën kyçe....

Kredia konsumatore po ruan rritjen, arrin në gati 590 milionë euro


Kredia konsumatore e dhënë nga sektori bankar shqiptar po vijon rritjen edhe gjatë këtij viti. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit shtator vlera totale e portofolit të kredisë konsumatore, duke përfshirë edhe overdraftet, arriti në pothuajse 69 miliardë lekë ose rreth 590 milionë euro, në rritje me 9.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kredia konsumatore po jep një kontribut të rëndësishëm në rritjen e portofolit të kredisë për individë, megjithëse me rritje më të ngadaltë krahasuar me kredinë për blerjen e pasurive të paluajtshme.

Analizat e Bankës së Shqipërisë kanë treguar kredia konsumatore zakonisht ka një natyrë prociklike, çka nënkupton se është një kredi që mbështet konsumin dhe ndjek rritjen e tij.

Një rënie drastike në flukset e kredisë së re konsumatore ndodhi në muajt pas pandemisë dhe mbylljes së ekonomisë, por rimëkëmbja erdhi shumë shpejt, në linjë me gjallërimin e shpejtë të aktivitetit ekonomik.

Për këtë arsye, rritja e kredisë konsumatore, si një nga elementët mbështetës të konsumit në ekonomi, mund të jetë një indikator i tërthortë se konsumi po i reziston rritjes së fortë të çmimeve. Inflacioni ka arritur në 8.1%, niveli më i lartë që prej vitit 1998, duke rënduar ndjeshëm buxhetet e ekonomive familjare.

Megjithatë, shifrat e deritanishme tregojnë se pasojat negative për konsumin nuk janë ende shumë të dukshme. Ngadalësimi I ndjeshëm I rritjes së depozitave bankare në lekë gjatë këtij viti mund të jetë gjithashtu një sinjal se deri tani familjet kanë arritur ta ruajnë konsumin duke ulur kursimin apo duke prekur kursimet e mëparshme.

Shifrat e INSTAT dëshmuan se për tremujorin e dytë të vitit konsumi privat në ekonomi u rrit 8% me bazë vjetore, duke shfaqur ecurinë më të mirë mes komponentëve të kërkesës. Një ecuri pozitive besohet të ketë shfaqur edhe tremujori i tretë, kryesisht për shkak të sezonit pozitiv veror dhe kontributit të lartë të turistëve të huaj.

Ecuria ende pozitive e kredisë konsumatore në gjysmën e parë të këtij viti tregon se ky konsum po rezulton në një trajektore pozitive, megjithëse këtë vit po vendoset nën presion të fortë nga rritja më e lartë e çmimeve qysh prej krizës së vitit 1997.

Gjithashtu, disa sinjale vërehen edhe në strukturën e kredisë konsumatore, lë lidhura me qëllimin e përdorimit të saj.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë japin një ndarje të kredisë konsumatore në tre grupe kryesore: kredi për mallrat ë qëndrueshëm, për mallra jo të qëndrueshëm dhe overdrafte. Mallrat e qëndrueshëm në përgjithësi përkufizohen si produkte që kanë një jetëgjatësi më të madhe se tre vjet.

Kredia konsumatore për këtë qëllim përfshin kryesisht financimin e blerjes së pajisjeve elektronike, elektroshtëpiake, mobiljeve, automjeteve, etj. Statistikat tregojnë se rritja e kredisë konsumatore ka ritme të përafërta si në segmetin e kredisë për mallra jo të qëndrueshëm, me 10.7%, ashtu edhe në atë për mallra të qëndrueshëm, me 10.3%, ndërsa masa e rritjes është më e ulët për overdraftet.

Shpërndarja e balancuar e rritjes mund të jetë një tregues se shpenzimet konsumatore përgjithësisht po vijojnë një tendencë rritjeje, duke përfshirë këtu edhe investimin në mallra të qëndrueshëm.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor