Vendosni fjalën kyçe....

Letra e zyrtarit të OKB-së për Elon Musk: Twitter-i të respektojë të drejtat e njeriut


Komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk, i ka shkruar një letër të hapur njeriut më të pasur në botë Elon Musk, ku i shpreh shqetësimin që ka për qasjen e Twitter-it ndaj fjalës së lirë.

Në letër, Türk shkroi: “Unë ju bëj thirrje që të siguroheni që të drejtat e njeriut janë thelbësore për menaxhimin e Twitter-it nën udhëheqjen tuaj.”

Türk tha se ai e vlerësonte rrjetin social për fuqinë e tij për komunikimin global, por foli për “shqetësimin dhe frikën e tij për hapësirën tonë publike dixhitale dhe rolin e Twitter në të”.

Siç shkruan Bussiness Insider, komisioneri kritikoi gjithashtu vendimin e Musk për të pushuar nga puna stafin e të drejtave të njeriut në Twitter dhe shumicën e ekipit të etikës, duke e përshkruar si “një fillim jo inkurajues”.

Në letrën e tij, Türk shtoi se “fjala e lirë nuk është një kalim i lirë” dhe ngriti shqetësime për dezinformimin në lidhje me vaksinat anti COVID-19. Ai tha se ligji ishte i qartë se liria e shprehjes ndalet në “urrejtjen që nxit diskriminim, armiqësi ose dhunë” dhe i kërkoi Twitter-it të sigurohej që një përmbajtje e tillë të hiqet sa më shpejt të jetë e mundur.

Letra gjithashtu thoshte se privatësia e përdoruesit duhet të mbrohet nga kërkesat e pajustifikuara të qeverisë në mënyrë që të ruhet liria e fjalës.