Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, të hënën, më 7 nëntor, kanë nisur bisedimet për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim përfshirjen e pakicës bullgare në pjesën e preambulës si popull shtetformues.
Kjo parashihet me Marrëveshjen me Bullgarinë, për kapërcimin e kontestit mes dy vendeve për çështjet që kanë të bëjnë me historinë, gjuhën dhe identitetin maqedonas.
Marrëveshja kishte për bazë një propozim francez për heqjen e vetos bullgare, që çoi në nisjen e bisedimeve politike për anëtarësim, më 19 korrik.
Por, bisedimet reale apo për kapitujt nuk do të mund të nisin pa plotësimin e kushtit kryesor që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës dhe këtë Maqedonia e Veriut ka afat të bëjë deri në përfundimin e procesit të skriningut, apo të verifikimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, që drejton partinë kryesore në Qeveri, Lidhjen Social Demokrate, kërkon mbështetjen e partive tjera parlamentare pasi ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat apo me 80 nga 120 votat e deputetëve sa numëron Kuvendi.
Shumica parlamentare numëron 63 deputetë.
“Qëllimi i kësaj takimi është që së bashku me kryetarët e të gjitha partive politike të bisedojmë për të ardhmen evropiane të vendit dhe për të gjitha vendimet që duhet t’i miratojnë me një konsensus të gjerë politik. Agjenda evropiane është mbi të gjitha, është interes i qytetarëve dhe i shtetit, andaj duhet të veprojmë të gjithë së bashku”, ka deklaruar Kovaçevski.
Por, partitë kanë paraqitur kushtëzime të ndryshme. Partia më e madhe opozitare, VMRO DPMNE-ja e cila kundërshton Marrëveshjen me Bullgarinë, kërkoi që “partitë të bisedojnë për krizën ekonomike, vështirësitë e qytetarëve për ta përballuar dimrin, rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë elektrike, por edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare”.
Nga partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Alternativa që janë pjesë e Qeverisë në takim nuk kanë paraqitur kushtëzime duke u dhënë mbështetje ndryshimeve kushtetuese.
Por, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa në opozitë kanë kërkuar që ndryshimet kushtetuese të përfshijnë edhe ndryshimin e formulimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë, që njihet si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë në Maqedoninë e Veriut.
“Ne vlerësojmë se ftesa e kryeministrit menjëherë pas ftesës sonë drejtuar partive shqiptare mund të jetë një sabotim për takimin e partive shqiptare. Ne nuk jemi kundër ndryshimeve kushtetuese, por kërkojmë që në këtë hapje të Kushtetutës të zgjidhet njëherë e përgjithmonë edhe çështja me 20 përqindëshin”, ka thënë Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Ndërkohë, partitë më të vogla maqedonase, që kanë nga një apo dy deputetë, ndryshimin e Kushtetutës e kanë kushtëzuar me njohjen e pakicës maqedonase në Bullgari.
“…Kërkoj që kjo të kushtëzohet me njohjen e pakicës maqedonase që jeton në Bullgari dhe ne duhet të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët që bashkëkombësit tanë të realizojnë të drejtat e tyre kombëtare në shtetin fqinj”, tha Pavle Trajanov, kryetar i Lidhjes Demokratike.