Vendosni fjalën kyçe....

Primaret në PD, Evdar Kodheli prezanton kandidaturën për Fierin


Evdar Kodheli është kandidati i parë në qarkun e Fierit që konfirmon pjesëmarrjen e tij në garën për Primaret e Partisë Demokratike.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, Kodheli tha se ka vendosur të kandidojë pasi e ndjen si detyrim qytetar dhe politik.

“Kam vendosur të hedh kandidaturën në primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë Fier, sepse e ndjej detyrim qytetar dhe politik pjesëmarjen në një proces që kthen votën. Unë besoj se vetëm nëpërmjet votës së lirë merr udhë edhe konkurenca e lirë, e cila siguron transparencë, meritokraci dhe hierarki.”– tha Kodheli.

Ai u shpreh i bindur se gara do të nxjerrë fitues kandidatin më të mirë e më të kualifikuar dhe u bëri thirrje qytetarëve fierakë që të bëhen pjesë e protestave të opozitës.

DEKLARATA E PLOTË

Unë jam Evdar Kodheli dhe kam vendosur të hedh kandidaturën për primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë Fier.

Jam diplomuar për Ekonomi dhe kam ndjekur dhe përfunduar me sukses, gjatë këtyre 22-viteve disa specilalizime pas-universitare duke u certifikuar dhe licensuar si kontabilist, auditues, ekspert fiskal etj.

Prej vitit 2005 dhe aktualisht drejtoj studion time.

Së bashku me familjarët e mi kam qenë pjesë e angazhimit politik në PD që në vitet 90.

Kam vendosur të hedh kandidaturën në primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë Fier, sepse e ndjej detyrim qytetar dhe politik pjesëmarjen në një proces që kthen votën. Unë besoj se vetëm nëpërmjet votës së lirë merr udhë edhe konkurenca e lirë, e cila siguron transparencë, meritokraci dhe hierarki.

Kam vendosur të kandidoj i sigurt se:

Nuk ka më kohë për këdo që e do atdheun, e do Shqipërinë.

Nuk ka më kohë të mendohemi se mbase ndryshimi vjen vetë,

Nuk ka më kohë të bëjmë spektatorin.

Nuk ka më kohë të lejojmë të kapemi nga politika e korruptuar.

Nuk ka më kohë të drejtohemi nga pa-aftësia, neglizhenca, korrupsioni, dhe arroganca.

Nuk ka më kohë të vazhdojë hemoragjia e largimit të të rinjve, zhvlerësimi i pedagogëve, mjekëve, apo çdo profesioni të lirë.

Gara është ajo që përzgjedh më të mirin, më të kualifikuarin për të bërë ndryshimin e duhur.

Kjo është arsyeja që, si qyetar, si përkrahës i Partisë Demokratike, si njeri i lirë dhe pa paragjykime, apo i pakushtëzuar nga kundërshtarët politikë, vendosa të garoj si kandidat në PRIMARET që organizon Partia Demokratike për Kryetarin e Bashkisë Fier.

Primaret do të shpalosin aftësitë dhe kapacitetet e demokratit të ndershëm, atij që lufton jo për vete por për Shqipërinë, për atdheun tonë. Kjo është Partia Demokratike, parti që nuk emëron në tavolinën e kryetarit kandidatët, Parti me vizion, Parti me parime demokratike, dhe të drejtë vote për këdo anëtar apo dhe simpatizant.

Fituesi do të jetë më i miri, dhe ne garuesit do të jemi NJË me të cilido qoftë ai ose ajo, duke fituar përballjen me kundërshtarin politik.

Të dashur bashkëqytetarë, të kontribuojmë secili për ndryshimin e madh.

Të kthejmë së bashku besimin, jo me fjalë, por me politika konkrete zhvillimi në bazë të një programi gjithëpërfshirës, për një zhvillim më të madh, në dobi të gjithë qytetarëve fierakë të përgatitur nga specialistët më të mirë, sipas fushave përkatëse.

Me këtë rast, ftoj bashkëqytetarët e mi fierakë dhe shqiptarët, të gjithë bashkë, të bëhemi pjesë e protestave, si forma demokratike e ngritjes së zërit, e kundërshtimit të shpopullimit, asimilimit, varfërimit, për të fituar të drejtat tona si qytetarë të lirë, për të mos i larguar fëmijët tanë nga atdheu ynë, por për të bërë një atdhe më të mirë dhe të denjë për të gjithë shqiptarët.