Vendosni fjalën kyçe....

Protestë në Romë kundër luftës në Ukrainë, në Milano mbahet kundërprotesta pro Kievit


Turma njerëzish u derdhën në rrugët e Romës të shtunën për të bërë thirrje për paqe në Ukrainë. Demonstruesit kërkuan gjithashtu që qeveria italiane të ndalojë ofrimin e armëve për Kievin.

Në tubim dolën dhjetëra mijëra njerëz, duke përfshirë anëtarë të sindikatave të punës dhe shoqatave katolike, studentë dhe një sërë aktivistësh të tjerë.

Ata mbanin flamuj me ylber që mbanin fjalët ‘paqe’ dhe ‘jo dhunë’. Parrulla të tjera që u dëgjuan dhe u panë gjatë demonstratës përfshinin ‘Të ulen armët’, ‘Mjaft armë Ukrainës’ dhe ‘Nuk duam luftë’. Ish-kryeministri italian dhe kreu i partisë Pesë Yjet, Giuseppe Conte, i cili mori pjesë në tubim, vuri në pikëpyetje qasjen e qeverisë së betuar së fundmi për zgjidhjen e konfliktit në vendin e Evropës Lindore.

“Ukraina tani është plotësisht e armatosur, ndërsa ne kemi nevojë për një përparim drejt armëpushimit dhe negociatave të paqes.” – tha ai, duke shtuar se ‘strategjia e tanishme po çon vetëm në përshkallëzimin e gjendjes’.

Ndërkohë, një kundërprotestë u mbajt rreth të njëjtës kohë në qytetin e Milanos, organizuar nga lideri i partisë centriste Azione, Carlo Calenda, me mbështetjen e komunitetit ukrainas të Italisë.

Qindra aktivistë morën pjesë në tubim, duke vënë në pikëpyetje nëse protestuesit në Romë ishin vërtet ‘pro-paqes’, apo në fakt ‘pro-Putinit’. Ata argumentuan se ‘ata që bëjnë thirrje për paqe, por edhe për të çarmatosur Ukrainën, bëjnë thirrje për dorëzimin e Ukrainës’.

Giorgia Meloni, e cila u bë kryeministre e Italisë në fund të muajit të kaluar, njihet si një mbështetëse e vendosur e Kievit.

Megjithatë, ajo po përballet me opozitën në rritje mes inflacionit të përshpejtuar dhe vështirësive të tjera ekonomike në vend, të cilat të gjitha besohet se rrjedhin nga konflikti i vazhdueshëm ushtarak.