Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Kosova në të drejtën e vet, por mirëkuptoj edhe Serbinë që e kërkon Asociacionin “me forcë”


Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Në një postim në “Twitter”, Rama shkruan se i kupton autoritetet e Kosovës që kanë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe, por shton se kupton edhe palën Serbe që e kërkon këtë me “forcë”. Ai thekson se po e ndjek me shqetësim situatën dhe bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog.

“Po e ndjekim me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohemi me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë SHBA&BE. Ndërkohë që mbështesim plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe DIALOG.

Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë! Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me ‘forcë’! Prandaj duhet kërkuar një DIALOG I PALODHUR me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët!”- shkruan Rama.

Ky reagim i Ramës vjen pasi largimi i Listës Serbe nga institucionet në veri të Kosovës ka thelluar tensionet në Veri të Kosovës.

Ditën e djeshme, pati dorëheqje masive nga kryetarët e komnunave me shumicë serbe në veri të Kosovës të cilët pasi dorëzuan dorëheqjen, mbajtën një protestë në orën 12:00. Kjo erdhi si kundërshtim ndaj vendimit të Kosovës për targat ndërsa kërkojnë krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Ndaj kësaj proteste pati edhe një kundërprotestë nga një numër i madh shqiptarësh që mbushën rrugët me flamujt kuqezi.

Beogradi thuhet se ka vendosur ushtrinë “në gatishmëri”. Situata në veri ka sjellë reagimin dhe nga ndërkombëtarët, BE dhe SHBA të cilët po ashtu bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog.