Vendosni fjalën kyçe....

U zunë për pronën, 40-vjeçari në periferi të Tiranës i nxjerr armën kushëririt


Një sherr mes dy kushërinjsh ka ndodhur sot në fshatin Dorëz në Periferi të Tiranës, ku njëri ka kanosur tjetrin me armë.

Sipas policisë, 40-vjeçari me inicialet B. K., nga Peza e Madhe ka kanosur kushëririn e tij me pushkë pas një sherri për pronën. Ai ka tentuar ta fshehë armën në afërsi të banesës së tij, por punonjësit e Policisë e kanë gjetur. 40-vjeçari është vënë në pranga.

Njoftimi i Policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Dorëz, një shtetas, kishte kanosur me armë zjarri një shtetas tjetër (kushëri i tij), kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “Dorëz”. Si rezultat, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– B. K., 40 vjeç, banues në Pezë të Madhe, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive pronësie, ka kanosur me armë zjarri pushkë, shtetasin B. K (kushëri i tij).

Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, 40-vjeçari ka tentuar ta fshehë armën e zjarrit pushkë, në afërsi të banesës së tij, por ajo është gjetur nga shërbimet e Policisë dhe është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.