Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, ka qenë i përfshirë në kontakte në prapaskenë me zyrtarë të lartë rusë në një përpjekje për të ulur mundësitë për një konflikt më të gjerë mbi Ukrainën, raportoi Wall Street Journal të dielën.
Sipas zyrtarëve të SHBA-së dhe aleatëve të intervistuar nga gazeta, Sullivan ka qenë në kontakt me Yuri Ushakov, një ndihmës për politikën e jashtme të presidentit rus Vladimir Putin dhe me Nikolay Patrushev, i cili drejton Këshillin e Sigurimit të Rusisë. Qëllimi i bisedimeve ka qenë ‘të mbrohet nga rreziku i përshkallëzimit dhe të mbahen të hapura kanalet e komunikimit’, thanë zyrtarët për Wall Street Journal.
Burimet e WSJ nuk dhanë hollësi se kur u zhvilluan negociatat ose nëse ato ishin produktive.
Zyrtarët amerikanë thanë se Sullivan ka këmbëngulur për të mbajtur të hapur një linjë komunikimi me Rusinë, në ndryshim nga zyrtarë të tjerë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, të cilët mendojnë se angazhimi me Moskën nuk do të jetë i frytshëm në këtë fazë.
Burimet e WSJ treguan se Sullivan jo vetëm që ka marrë një rol udhëheqës në bashkërendimin e politikave të Uashingtonit mbi konfliktin në Ukrainë, por ka qenë gjithashtu i përfshirë në përpjekjet diplomatike, duke vizituar Kievin javën e kaluar për t’u takuar me presidentin ukrainas Vladimir Zelensky.
Gjatë bisedimeve, këshilltari i sigurimit kombëtar të SHBA-së i kërkoi udhëheqjes ukrainase të sinjalizojë publikisht se janë gati për të zgjidhur konfliktin, tha një zyrtar amerikan për gazetën. Sipas WSJ dhe raporteve të mëparshme të mediave, Uashingtoni nuk po këmbëngul që Kievi të kthehet në tryezën e bisedimeve, por dëshiron që ai t’i tregojë botës se po përpiqet t’i japë fund armiqësive.