Vendosni fjalën kyçe....

Algjeria aplikon për t’iu bashkuar vendeve BRICS


Algjeria thuhet se ka paraqitur një aplikim zyrtar për t’u bashkuar me grupin BRICS të ekonomive të mëdha në zhvillim. Faqja e lajmeve Al-Shouruk tha se njoftimi erdhi nga Leila Zerrouki, e dërguara speciale e Ministrisë së Jashtme për partneritetet ndërkombëtare, duke folur në radion shtetërore.

Presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune kohët e fundit tha se vendi ishte i interesuar t’i bashkohej Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut në grupin BRICS, duke shpjeguar se vendi përmbush kryesisht kriteret për anëtarësim.

Në samitin e këtij viti të BRICS, të mbajtur online në qershor, formati u zgjerua për të përfshirë 13 vende të tjera, duke përfshirë Algjerinë. Presidenti Tebboune ishte i ftuari i parë që foli, duke bërë thirrje për ‘një rend të ri ekonomik ku do mbretërojë barazia mes vendeve’.

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Ryabkov tha në shtator se një numër vendesh kanë shprehur interes për t’iu bashkuar BRICS në një formë ose në një tjetër. Diplomati tha se krerët e vendeve të BRICS po zhvillojnë një procedurë për pranimin e anëtarëve të rinj.

Aleanca BRICS, e cila tashmë përbën më shumë se 40% të popullsisë së botës, pritet të marrë në konsideratë shtimin e vendeve duke përfshirë Arabinë Saudite, Turqinë, Egjiptin, Iranin dhe Afganistanin.