Vendosni fjalën kyçe....

Begaj i propozon zgjidhje qeverisë angleze: Hapni një mikrokonsullatë në Kukës për punonjës sezonalë


Gjatë një vizite në Kukës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka reaguar ndaj deklaratave të Ministres së Brendshme britanike, Suella Braverman për emigrantët shqiptarë.

Ai tha se nuk ishte dakord me deklaratën e ministres , duke shtuar se nuk mund të etiketohen shqiptarët si pushtues për faktin se ata jetojnë dhe punojnë kudo në botë.

Begaj madje dha edhe një opsion për qeverinë britanike për zgjidhjen e situatës. Presidenti propozoi hapjen e një mikrokonsullate angleze në Kukës që të bëje të mundur që qytetarët të ikin me viza të rregullta të përkohshme për të punuar si punëtorë sezonal.

Shqiptarët janë integruar në shumë vende të botës dhe kanë ndërtuar jetën dhe punuar në mënyrë normale duke paguar taksa. Nuk është e drejtë të bullizohen në këtë lloj gjëje. Natyrisht ka edhe elemente anësore të padëshiruar që mund të kenë lidhje me krimin. Por nuk janë vetëm shqiptarët. I kam kërkuar qeverisë britanike investimet e saj t’i bëjë në drejtim të zonave ku ka emigrantë, rruga e duhur për mua dhe kërkesa ime ndaj tyre është investimet e qeverisë angleze në këtë rajon të bëhen të prekshme nga qytetarët dhe mos të jenë vetëm në kuadrin e këshillimeve.

Por të jenë investime me qëllim që këta qytetarë që ikin për një jetë më të mirë të punojnë e të jetojnë në Kukës, Dibër, Has e Tropojë. Kërkesë tjetër e imja ka të bëjë me hapjen e një mikrokonsullate angleze në Kukës që të bëje të mundur që qytetarët të ikin me viza të rregullta të përkohshme për të punuar si punëtorë sezonalë”, tha Begaj.