Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një takim me sipërmarrës në selinë e partisë deklaroi se nga viti 2013 deri në 2021 ligjet fiskale u ndryshuan 40 herë.
Sipas tij ndryshimi i shpeshtë i ligjeve do të thotë pasiguri e falimentim për bizneset.
Ai e cilësoi kryeministrin Edi Rama armik të biznesit dhe të shqiptarëve në tërësi.
“Ne mblidhemi sot në një moment pa ekzagjerim katastrofal për këtë vend. Në këtë katastrofë askush nuk ka paguar një çmim më të lartë se sa biznesi. Bizneset në këto vite faktikisht janë përgjysmuar. Nga 210 mijë biznese sot numërohen 107 mijë. Ndaj bizneseve të vendit dhe të huaja u zbatuan praktika trysnie, gjobe, zhvatje të pashembullta.
Në këto vite 2013-2021 ligjet fiskale u ndryshuan 40 herë. Ju garantoj se po të marrësh të gjithë kontinentin dhe vende të tjera së bashku nuk përbëjnë një ndryshim 40 herë si në Shqipëri. Kjo është pasiguri totale për biznesin. Kjo është pamundësi e plotë për parashikim nga biznesi. Kjo është falimentim për bizneset. Ju u përballët me pasojat tejet të rënda të veprimit të bizneseve të oligarkëve dhe të klientelës mbi ju sepse ata nuk ngopen me qindra milionë që ndajnë me qeveritarët, por vërsulen si kërpudha ndërmarrjet e tyre analoge me të cilat ju e keni shumë të vështirë të konkurroni. Shto këtu Ballkanin e Hapur nga i cili po falimentojnë çdo ditë dhjetëra dhe qindra ferma sepse prodhimet blegtorale dhe bujqësore po zëvendësohen me prodhimet e Serbisë, të cilat janë të paktën 80 herë më shumë të subvencionuara se sa prodhimet në Shqipëri.
Edi Rama është një armik i vërtetë i biznesit, i suksesit tuaj, por edhe i shqiptarëve në tërësi. Biznesi i vogël, gjeneratori absolut kryesor i punësimit ra në një falimentim masiv, çka do të thotë shpunësim masiv i shqiptarëve dhe largim i tyre nga Shqipëria. Po t’i dëgjosh këta mashtrues, të cilët me propagandën e tyre të neveritshme mendojnë se mbulojnë çdo gjë me mashtrim, këtu biznesi i vogël është në parajsë, paçka se energjinë biznesi i vogël e paguan 3-4 herë më shtrenjtë se pak vite më parë. Paçka se taksën e mjedisit e ka 4 herë më të lartë dhe sistemi i taksave lokale rëndon disa herë më shumë se më parë. Tarifat e ujit po kështu. Pra një seri faktorësh të cilët sollën falimentim masiv tuajin. Përpara kemi taksën 23% dhe kjo, ka pritur janarin që ta vendosë”, deklaroi Berisha.