Rritja e çmimeve nuk ka të ndalur, ndonëse ritmet janë ngadalësuar muajt e fundit. sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit (inflacioni) që mat ndryshimin e çmimeve për një shportë mallrash të caktuar, arriti në 8.3%, niveli më i lartë që nga viti 1998, kur vendi po e merrte veten nga kriza që shkaktoi në ekonomi rënia e piramidave.
Sipas INSTAT, Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Tetor 2022 është 8,3 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 2,4 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Tetor 2022, krahasuar me Shtator 2022 është 0,4 %. Në shtator inflacioni kishte arritur një tjetër rekord të 24 viteve të fundit, në 8.2%.
Ushqimet dhe karburanti janë produktet që janë bërë më të shtrenjta për familjet shqiptare.
Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Tetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +5,09 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +1,00 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,70 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,48 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,28 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,27 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,19 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,12 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,05 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,02 pikë përqindje.
Banka e Shqipërisë ka rritur ndërkohë katër herë normën bazë në ekonomi, në një përpjekje për të luftuar rritjen e vazhdueshme të çmimeve në vend. Nga niveli më i ulët historik që ishte në shkurt të këtij viti, prej 0.25%, norma bazë arriti në fund të tetorit në 1.75%.
Bankat qendrore përdorin normat e tyre të interesit për ta bërë paranë më shumë apo më pak të shtrenjtë në mënyrë që ose të frenojnë ose të nxisin shpenzimet, pasi interesat bazë ndikojnë drejtpërdrejt në normat që bankat tregtare ofrojnë për familjet dhe bizneset.
Banka ka shprehur shqetësimin vazhdimisht për rritjen e presioneve inflacioniste në vend. “Rritja e çmimeve ka filluar të jetë e pranishme në pjesën më të madhe të shportës, përfshi edhe ata artikuj, pjesa më e madhe e vlerës së shtuar të të cilëve krijohet në vend.
Kjo ecuri sugjeron rritjen e njëkohshme të bazës dhe të intensitetit të presioneve inflacioniste. Rritja e presioneve të brendshme inflacioniste pasqyron veprimin e tre faktorëve. Së pari, pozicioni i mirë ciklik i ekonomisë shqiptare, i cili buron nga kërkesa e qëndrueshme për mallra e shërbime dhe nënkupton shfrytëzim të lartë të kapaciteteve të brendshme prodhuese, është shoqëruar me rritje të shpejtë të pagave.
Së dyti, çmimet e larta të lëndëve të para, të naftës dhe energjisë, sjellin rritje të mëtejshme të kostove të brendshme të prodhimit. Së treti, rritja e inflacionit të pritur ndikon në rritjen e çmimeve të kontratave të së ardhmes”, thuhet në deklaratën e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, pas vendimit për rritjen e normës bazë.
Nuk e lehtëson situatën as inflacioni i importuar, që vjen nga partnerët kryesorë tregtare të vendit. Sipas Eurostat Inflacioni në eurozonë vlerësohet të ketë arritur një nivel të ri rekord prej 10.7% në tetor, një rekord maksimal historik. Ky do të ishte leximi i parë i inflacionit që kalon pragun e 10%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi. Italia, norma vjetore e së cilës parashikohet në 12.8%, ndërkohë ka shënuar rritjen më të lartë nga muaji në muaj me një kërcim prej 4%. Ky shtet është partneri kryesor tregtar i vendit.
Nga erdhi rritja e çmimeve
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Tetor 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 16,9 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 14,6 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,5 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 6,1 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,7 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,6 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,3 %, “Veshje dhe këpucë” me 3,0 %, “Shërbimi arsimor” me 1,8 %, “Argëtim dhe kulturë” me 1,7 %, “Shëndeti” me 1,3 % dhe “Komunikimi” me 0,7 %.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u rritën me me 27,4 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 24,3 %, “bukë dhe drithra” me 17,1 %, “peshk” me 15,3 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 14,7 %, “mish” me 12,4 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 11,8 %, etj.
Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Shtator 2022, çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 1,5 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,8 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,6 %. “Veshje dhe këpucë” me 0,5 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Shëndeti” me 0,4 % secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,1 %.
Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 2,5 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,4 % secili.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al