Hakerat e HomelandJustice kanë publikuar dje të tjera materiale, të cilat pretendojnë se janë marrë nga operacionet e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Në njërën nga videot shfaqet një person i veshur me xhup jeshil i cili ndiqet nga pas derisa futet në ambasadën e Kinës në Tiranë.
Në videon që pason, shfaqet ish-drejtori i policisë Gledis Nanon në kohën kur drejtonte njësinë e Antiterrorit, gjatë një operacioni për zbulimin e një spiuni që bashkëpunonte me ambasadën e Kinës në Tiranë.
Videoja me kamera trupore është filmuar në 26 mars 2021 dhe në të duket Nano i shoqëruar nga një person tjetër si dhe dy efektivë që qëndrojnë pak më tej, përballë ambasadës së Kinës në kryeqytet.
Pasi qëndrojnë për disa çaste përballë ambasadës, ata nisen drejt hyrjes së saj sapo nga ambasada dalin dy persona. Nano dhe personi që e shoqëron e që ka kameran trupore i pyesin dy personat se kush janë.
“Përshëndetje, si jeni. Jemi njësia hetimore e Policisë së Shtetit. Përshëndetje zotëri.” – dëgjohet të thotë Nano.
Ndërkohë njëri një nga dy shtetasit që dalin nga ambasada kineze, prezantohet si drejtori i Protokollit në Policinë e Shtetit, teksa është e paqartë se çfarë bënte ai brenda ambasadës së Kinës.
“Unë jam i Policisë së Shtetit, drejtori i Protokollit. Ky është zv. Atasheu…” – dëgjohet të thotë ai teksa qëndron në krah të një personi tjetër për të cilin thotë se është zv.Atasheu i ambasadës. Ky i fundit thotë vetëm një fjalë ‘anglisht’, mesa duket për të treguar se është gjuha me të cilën mund të komunikojë e më pas videoja ndërpritet.
Hakerat iranianë kanë publikuar materiale të ndryshme që prej sulmit kibernetik të 15 korrikut 2022 pas të cilit pretendojnë se qëndrojnë ata.
Pak ditë më parë ata zbuluan një listë të rreth 600 punonjësve të SHISH-it ndërsa më herët kanë publikuar të tjera materiale të marra gjatë sulmit kibernetik.