Vendosni fjalën kyçe....

Investimet strategjike, qeveria kalon 90 mijë m2 tokë shtet për një resort në Gjirin e Lalëzit, miratohet dhe një agroturizëm


Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar dhënien e statusit të investitorit strategjik për dy projekte.

I pari është një resort turistik në Gjirin e Lalëzit për të cilin është miratuar gjithashtu kalimi i të paktën 90 mijë metrave katrorë tokë shtet për zhvillimin e projektit.

Referuar vendimit të KIS investitor për projektin është “Omnix Albania” sh.p.k, një kompani ku janë aksionerë tre kompani të tjera shqiptare Matrix Konstruksion, Klar dhe RDA PETROL dhe investitori Jamal Abdulsalam MAbuiss.

Shoqëria në fjalë është e njëjta që pak vite më parë u bë pjesë e titujve të mediave kur u sulmua investitori libanez Fadi Mitri dhe deklaroi se do të tërhiqej nga ky investim.

Vendimi i KIS për resortin

“Projekti konsiston në një kompleks luksoz që përfshin një park rezidencial, një bulevard, një hotel me 5 yje, park ujor, klub fëmijësh, klub plazhi etj.

Vlera e investimit të projektit të investimit “Resort turistik me vendndodhje në Gjirin e Lalëzit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë rreth 216  Euro” thuhet në vendimin e KIS.

Po kështu në të njëjtin dokument argumentohet se parashikohen të punësohen 252 persona.

Specifikisht për çështjen e truallit ku do të vendoset projekti vendimi nënvizon se “në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, përkatësisht neni 21, neni 22, neni 27 dhe neni 29 i Ligjit Nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, masat mbështetëse që i jepen projektit të investimit strategjik janë si më poshtë:

a) Miratohet masa mbështetëse e kryerjes së procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike;

b) Miratohet masa mbështetëse e asistencës në lidhje me dhënien e lejeve, licencave dhe autorizimeve të nevojshme për realizimin e projektit, në përputhje me afatet e parashikuara sipas legjislacionit të investimeve strategjike;

c) Miratohet në parim masa mbështetëse konsolidim toke si dhe dhënia e së drejtës së përdorimit dhe shfrytëzimit të sipërfaqes prej 90 030 m2 të fondit pyjor kullosor, me pronësi Republika e Shqipërisë.

ç) Miratohet të hiqet nga sipërfaqja pyjore kullosore prej 60,000  m2, sipas legjislacionit specifik sektorial për pyjet e kullotat, referuar Aneks 1 të këtij vendimi, e ndarë si më poshtë: i. 15,800  m2 në pasuritë pronë shtetërore me nr parcele 182; 152/43 dhe 178/44; dhe ii. 44,200  m2 në pasuritë pronë private, në pronësi të Shoqërisë “Omnix” Albania” shpk, me nr. parcele 181; 178/39 dhe 178/41” thuhet në vendim.

Investim strategjik në agroturizm

KIS ka miratuar edhe një vendim për t’i dhënë statusin e investimit strategjik një projekti që lidhet me agroturizimin.

Subjekti që do të bëjë investimin është “Zagroturizëm” sh.p.k që do të zhvillojë projektin “Zagorturizëm” me një vlerë rreth 5.5 milionë euro. sipas përshkrimit të bërë në vendim investimi parashikon  ndërtimin e një hoteli me 62 dhoma si edhe një sërë mjedisesh të tjera çlodhëse, rekreative e bujqësore. Hoteli do të ketë një sipërfaqe prej 14,404 m2 dhe një lartësi që varion nga 1 në 4 kate me 1-3 kate nën tokë.

“Përveç sipërfaqes së strukturës së hotelerisë, të cilën subjekti e disponon me kontrata qiraje, projekti përfshin edhe një vresht me sipërfaqe 15,000  m2, një kantinë për prodhimin e verës, një pemëtore me drufrutorë të ndryshëm me sipërfaqe 15,000  m2, një sipërfaqe e sistemuar për mbarështimin e kafshëve, një sipërfaqe e sistemuar përmbarështimin e shpendëve, një qendër për rafting, terrene sportive me sipërfaqe 1,899 m2, një pishinë e jashtme me sipërfaqe 1,100 m2, pesë vila druri me sipërfaqe totale 350 m2 , një hapësirë natyrore për shëtitje dhe rekreacion, si edhe rrugë, shtigje e shkallare të brendshme për qarkullimin e këmbësorëve” thuhet në vendim.

Lidhur me pronësinë që do të kalojë tek investitori, vendimi i KIS shprehet se ka nevojë për përditësime dhe verifikime në terren të sipërfaqeve për të dalë më pas me një shifër të saktë. /N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor