Vendosni fjalën kyçe....

Meta me Komitetin Kombëtar të Rinisë: Jam i sigurt se do të përzgjidheni në këshillat bashkiakë


Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me Komitetin Drejtues Kombëtar të Rinisë.

Gjatë fjalës së tij, Meta u shpreh i bindur në zgjedhjen e të rinjve në këshillin bashkiak të Tiranës dhe këshillat bashkiakë në të gjithë vendin.

“Për mua është kënaqësi e veçantë të ritakohem me ju. Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për angazhimin e të rinjve dhe të reja, të shpreh kënaqësinë për zgjedhjen e shumë prej jush në komitetin drejtues kombëtar të PL. Jam i sigurt se ky përfaqësim do të ndiqet dhe nga përzgjedhja e shumë prej jush në këshillin bashkiak të Tiranës dhe këshillat bashkiakë në të gjithë vendin në zgjedhjet që po vijnë.

Konventa e tregoi qartë se angazhim i PL-së është për një Shqipëri që iu përket të rinjve dhe të rejave. Kjo është dhe më e domosdoshme në kushtet kur vendi po zbrazet dita-ditës si rezultat i politikave shpopulluese të qëllimshme të kësaj qeverie. Mbështesim plotësisht dhe të gjithë ato propozime të cilat u diskutuan dhe dje me studentë, pedagogët, të rinj dhe reja.”- deklaroi Meta.

Ai shtoi: “Treguesit e konsumit janë në rënie. Çmimet e konsumit janë në rritje. Çmimet e ushqimit bazë është në rritje. Borxhi publik është në rritje. Borxhi llogaritet në 11.9 miliardë euro. Normat e interesit bazë janë në 2.75% duke shtuar kostot e huamarrjes. Në këtë situatë, të gjitha përpjekjet e qeverisë për të mbajtur në kontroll borxhin duke kufizuar shpenzimet sociale, janë në dëm të qytetarëve shqiptarë. Shkojnë vetëm në interes të klientëve të qeverisë, oligarkëve. Ne edhe njëherë tjetër kërkojmë heqjen e gjobave 10 fish.”