Vendosni fjalën kyçe....

PD: Drejtësia e reformuar nga George Soros nxorri dje të pafajshëm përgjegjësit e vdekjes së 51 qytetarëve në tërmetin e 26 nëntorit


Partia Demokratike u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestën e 12 nëntorit.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, zëdhënësja Floriana Garo denoncoi vendimin e Gjykatës së Durrësit për shpalljen të pafajshëm të personave nën hetim lidhur me vdekjet e ndodhura në qytetin bregdetar gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Ajo tha se tre vite pas tërmetit tragjik, nuk ka drejtësi as për të vdekurit e familjarët e tyre e as për qytetarët e shpërngulur nga banesat jo për shkak të tërmetit po për shkak të pushtetarëve, ministrave e kryebashkiakëve mafiozë të Ramës.

“Dje, drejtësia e reformuar dhe e shndërruar në degë të ekzekutivit me reformën e George Soros, shënoi një rekord të zi me vendimet e saj. Kjo drejtësi, në tre vjetorin e vdekjes, dha pafajësi për përgjegjësit e vdekjes së paralajmëruar të 51 banorëve që humbën jetën në rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019. Kanë kaluar 3 vjet tashmë nga ai apel dhe zotim i Kryeprokurorit, dhe drejtësia nuk është bërë, as për të vdekurit dhe as për të mbijetuarit e shpërngulur nga vatrat e tyre. Jo nga tërmeti, por nga dora e zeze e pushtetarëve, ministrave dhe kryebashkiakëve mafiozë të Edi Ramës, ndërtuesve, inxhinjerëve, teknikëve etj. Zotimi para Prokurorisë së Durrësit i Olsian Celës, dhe evidentimi i fajtorëve nëpërmjet shkeljeve, u shoqërua me emra, por me urdhër direkt të Edi Ramës, që kontrollon çdo qelizë të drejtësisë së kapur, me asnjë të dënuar. E njëjta situatë edhe në bashkinë më të madhe të vendit në Tiranë. 31 persona u shpallën në kërkim, disa u arrestuan dhe shumica u arratisën. Prokurorja e Tiranës jepte asokohe të njëjtin premtim për hetime.” – tha Garo.

Ajo shtoi më tej se drejtësia e re e propagandës e shpenzimeve stratosferike nuk u ka shërbyer aspak qytetarëve të cilët po hasin ëdo ditë vendime të padrejta e enden dyerve të gjykatave.

“Gjykimi përfundimtar u dha dje për personat e akuzuar për viktimat dhe dëmet e tërmetit në Durrës. Të gjithë të pafajshëm: që nga ish-drejtori i ALUIZNI-t Flamur Gjuzi, ish-drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Artur Çela, dhe një i akuzuar për ndërtim të paligjshëm, Artur Terziu. Personat e tjerë të akuzuar, në një tallje cinike me viktimat dhe të pastrehët, u dënuan me punë në shërbim të komunitetit. Te kjo frazë e fundit qëndron edhe pyetja: a i shërbeu drejtësia e re, propaganda dhe shpenzimet për të komunitetit, njerëzve, shqiptarëve. Viktimat dhe familjarët e tyre, familjet e panumërta që janë ende me qera, në çadra apo forma të tjera të shpërnguljes nga vatrat e tyre, përgjigjen unanimisht: JO. Ata që mund të quhen ‘vrima e fundit e kavallit’ mbetën pa ndëshkuar. Ata që janë në fakt përgjegjësit kryesorë të tragjedisë dhe të masakrave urbane, kryebashkiakët e Krujës, Durrësit dhe Tiranës, Edi Rama dhe ministrat e tij as u akuzuan, as u morën në pyetje, dhe as u hyri gjemb në këmbë.” – shtoi Garo.

Në fund zëdhënësja e selisë blu tha se vendimi i fundit i Gjykatës së Durrësit është në vazhdën e një drejtësia që nuk jep drejtësi duke vrarë për së dyti viktimat e duke torturuar familjarët e tyre.

“Një turp, i drejtësisë që nuk bën drejtësi, që nuk e mbulon asnjë tërmet dhe asnjë përmbytje.

Një krim pa ndëshkim që i vret dy herë viktimat dhe i torturon për së gjalli të afërmit e tyre.

Kujtojmë se familje të tëra, 25 banorë u shuan në pallatet e Thumanës, të bëra të pabanueshme nga tërmeti i shtatorit 2019, por që u lanë aty që t’ju merrte më vonë jetën tërmeti i nëntorit, dhe askush nuk u gjet fajtor. Partia Demokratike, në prag të përvjetorit të tretë të tragjedisë së 26 nëntorit, u kujton me dhimbje shqiptarëve se, një drejtësi që nuk punon për ata nën gërmadha, funksionon për ata mbi rrënoja. Kjo është pamja në sytë e shqiptarëve tre vjet më vonë: një grusht korbash të qeverisë dhe drejtësisë mbi gërmadhat e 26 nëntorit dhe mbi varret e të vdekurve. Me ta nëpër këmbë Shqipëria është në rrezik. Shqiptarët nuk janë më qytetarë, pro viktima, populli me gomone në krahë që pret të hidhet në dallgët e rrezikut nëpër brigjet e Europës. Më 12 nëntor, të gjithë bashkë, duhet të japim një shenjë guximi, force dhe shprese, kundër tufës së korbave mbi hartën e Shqipërisë dhe fatet e shqiptarëve.” – mbylli Garo.