Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Çadra e famshme u financua nga rusët, edhe PL është në thesin e Rublave


Kryeministri Edi Rama ka akuzuar Partinë e Lirisë se ka marrë financime ruse, njësoj siç beson se ka marrë edhe Partia Demokratike.

Gjatë një takimi në Kamëz, Rama tha se greva e zhvilluar disa vite më parë në çadrën e vendosur përpara Kryeministrisë, ka qenë pjesë e skenarit të financimit rus.

Më pas shtoi se edhe Partia e Lirisë është në “thesin e rublave”.

“Ose kur bëhet fjalë për ata që janë në krye të kësaj përpjekje, pikërisht atyre që e kanë nisur dhe po e çojnë përpara këtë luiftë, agresorëve në Kremlin. S’ka asnjë shpjegim. Ne mund të debatojmë për shumë gjëra, mund të diskutojmë cila është mënyra më e mirë për të përballuar efektin e kësaj lufte, por nuk mund të diskutojmë ka apo jo luftë. Nuk diskutojmë dot nëse është e vërtetë goditja e çmimit të energjisë.

Këto janë fiks siç i thotë Putini, ‘nuk ka luftë thotë, është një operacion ushtarak’. Është një përpjekje për të nxitur tension, për të fryrë zjarrin dhe sherrin, për të bërë rrëmujë dhe pas kësaj të dalë ku të dalë. Tani, si po zhvillohet kjo luftë. Cila është përpjekja që po bën Putini. Kriza e energjisë nisi përpara luftës. Filloi shkurtimi i sasisë së gazit rus në Europë. Filloi të rritej çmimi. Ishte e qartë, energjia dhe inflacioni kthehen në dy armë që shkojnë në çdo shtëpi. Fatura e energjisë futet poshtë derës ndërsa inflacioni është tek dera e çdo dyqani dhe në momentin që do paguash, të kap dorën dhe të thotë prit se kam dhe unë pjesën time këtu. Ne nuk kemi nevojë që të fantazojmë apo të bëjmë analiza të bazuar në imagjinata, sepse ne kemi provën që PD është paguar gjysmë milioni dollarë për të rrëzuar qeverinë tonë.

Çadra e famshme dhe e gjithë ajo përpjekje ishte e bazuar tek një skenar që financohej nga paratë ruse. Për çfarë mund të financojë një fuqi si Rusia një parti në Shqipëri kundër qeverisë? Për ta bërë Shquipërinë më demokratike? Për ta bërë Shqipërinë më të besueshme me partnerët tanë strategjik? Komplet të kundërtën, për të krijuar një thyerje mes Shqipërisë dhe aleatëve tanë stretegjik. Unë besoj që shumë shpejt nuk do shohim që është vetëm PD-ja. Mendoj që ata bashkë edhe me atë Partinë e Lekut, janë në thesin e rublave.”– tha Rama.