Vendosni fjalën kyçe....

U shfaq duke sharrë dhe rrahur qytetarin, shkarkohet menjëherë pas denoncimit shefi i Komisariatit në Pukë


Shefi i Komisariatit në Pukë është shkarkuar menjëherë nga puna pasi në emisionin “Stop” u shfaq duke sharrë dhe rrahur një qytetar.

Me anë të një deklaratë publike, Policia e Shtetit thotë se Drejtori i përgjithshëm ka marrë masën për shkarkimin e menjëhershëm dhe përjashtimin nga radhët e organizatës të Pjerin Lazri.

Mbi rastin e transmetuar pak minuta më parë, në emisionin investigativ ”Stop”, në të cilin shfaqet shefi i Komisariatit të Policisë Pukë, shtetasi P. L., duke shkelur Kodin e Etikës dhe të komunikimit, si dhe duke goditur një shtetas, sqarojmë opinionin publik se:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit sapo është njohur me rastin, ka shkarkuar nga detyra dhe ka përjashtuar menjëherë, nga rradhët e Policisë së Shtetit, shefin e Komisariatit të Policisë Pukë, për shkelje të rëndë të Kodit të Etikës dhe të komunikimit dhe për tejkalim të kompetencave, duke abuzuar rëndë me atributet që i jep ligji dhe detyra.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit garanton qytetarët se është shumë i vendosur për të reaguar me ashpërsinë e ligjit ndaj kujtdo punonjësi policie që shpërdoron detyrën dhe që abuzon rëndë me uniformën e shenjtë të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve dhe si e tillë nuk mund të kenë vend në radhët e saj, punonjës policie që me veprimet e tyre abuzive shkelin liritë e të drejtat e qytetarëve dhe cënojnë besimin e mbështetjen e tyre, për mijëra burra, gra, djem dhe vajza të Policisë së Shtetit që përballen përditë me krimin dhe që punojnë e sakrifikojnë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike”-thuhet në njoftim.

Që prej kur është emëruar në krye të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka ndryshuar metodën mbi trajtimin e rasteve kur punonjës së policisë denoncohen në shkelje të etikës apo detyrës dhe rregullores.

Rrumbullaku ka marrë masa drastike në varësi edhe të rastit, kur nuk është mjaftuar me pezullim dhe hetim të rastit, por ka publikuar menjëherë deklaratë për shkarkim dhe përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit.