Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë takimit me banorë të Njësisë 4 në Tiranë, denoncoi se Portin e Durrësit po e merr klani Rama-Vuçiç-Karriç me dikatorin Lukashenko të Bjellorusisë.
Berisha deklaroi se po rrëmbehet pasuria mijëra vjeçare e qytetarëve durraskë.
Kreu i PD-sw sfidoi Ramën që të dalë para shqiptarëve dhe të përgënjeshtrojë akuzat.
“Skandalet nuk kanë të ndalur. A e dëgjuat ju se si me procedurë urgjente po sjellin në parlament ligjin e privatizimit për veten e tij dhe Aleksandër Vuçiç të Portit të Durrësit. Porti i Durrësit ka një territor 1.2 milionë metër katror. Porti i Durrësit përbën si truall ndërtimi me vlerë minimumi 3 miliardë Euro.
Porti i Durrësit i zhvilluar në ndërtime siç pretendon ai Dubai City, mund të shkojë në vlerë edhe 3 miliardë të tjera. Por kush janë këta që marrin portin? A ka shqiptarë që e dinë? Jo. Ju bëj thirrje durrsakëve të pyesin, se kush janë këta që po marrin portin e Durrësit. Kush e merr këtë pasuri përrallore publike të shqiptarëve.
Ua them unë kush e merr. E merr një kompani në pamje të parë emiratesh, por në pamje të parë në thelb, Edi Rama, Aleksandër Vuçiç, Nebojsha dhe Dragomir Karriç, pra kompanitë e vëllezërve Karriç të cilët të gjithë aksionet i kanë me Llukashenkon e Bjellorusisë.
Pra në vend që këtë pasuri ta gëzojnë shqiptarët, portin e tyre mijëra vjeçar ta zgjerojnë, shndërrohet në pasuri private të klanit Rama-Vuçiç-Karriç dhe Aleksandër Llukashenkos.
Ai mund të thotë se këta nuk janë të vërteta? Dil e thuaju shqiptarëve se nuk janë të vërteta o hajdut. Kush janë pronarët e vërtetë të kësaj kompanie. E njëjta skemë përdoret në këtë rast, përjashtim nga taksat. Identike skema që Llukashenko ka përdorur me vëllezërit Karriç. Pra çfarë po ndodh me qytetarin. Pasuritë publike po shndërrohen në mallkim për qytetarin dhe parajsë për qeveritarët. Kjo ndodhte vetëm në sistemet mizore koloniale dhe kurrë në sistem demokratik”.