Vendosni fjalën kyçe....

Gjiganti i teknologjisë Meta pritet të bëjë shkurtime të mëdha të stafit mes rënies së aksioneve – WSJ


Meta Platforms, kompania mëmë e rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram, planifikon të shkarkojë ‘mijëra’ punonjës të saj, raportoi Wall Street Journal (WSJ), duke cituar burime.

Pushimet e para të mëdha në historinë 18-vjeçare të firmës pasojnë një rënie të mprehtë pas pandemisë në çmimin e aksioneve të saj, konkurrencë më të fortë në treg dhe një rritje të shpenzimeve, tha gazeta.

Sipas WSJ, ‘numri i punonjësve të Meta-s që pritet të humbasin punën e tyre mund të jetë më i madhi deri më tani në një korporatë të madhe teknologjike’. Burimet e WSJ zbuluan se administrata e kompanisë planifikon t’i japë stafit lajmin e keq që të mërkurën dhe tashmë u ka thënë punonjësve të anulojnë udhëtimet jo thelbësore duke filluar nga kjo javë.

Një zëdhënës i Meta-s nuk e komentoi këtë çështje, por iu referua një deklarate të tetorit të shefit Mark Zuckerberg mbi ‘numrin e vogël të fushave me prioritet të lart’” ku kompania planifikon të përqendrohet. Në atë kohë, Zuckerberg e bëri të qartë se ndërsa disa ekipe Meta do rriten ‘në mënyrë domethënëse’, shumica e të tjerave ‘do qëndrojnë njësoj ose do tkurren’ gjatë vitit të ardhshëm.

Në shtator, WSJ raportoi se Meta, e cila ka punësuar më shumë se 40,000 staf gjatë tre viteve të fundit dhe ka më shumë se 87,000 punonjës, po planifikonte të ulte shpenzimet me të paktën 10%.

Çmimi i aksioneve të kompanisë ka rënë me më shumë se 70% këtë vit. Ndërsa udhëheqja e Meta-s përmendi tendencat e përkeqësuara makroekonomike si shkakun kryesor, investitorët, sipas WSJ, ‘janë trembur gjithashtu nga shpenzimet e saj dhe kërcënimet ndaj biznesit kryesor të kompanisë në mediat sociale’.

Ndër faktorët që ndikojnë negativisht në biznes, tregu renditi konkurrencën e fortë nga TikTok dhe investimet prej 15 miliardë dollarësh në platformën e realitetit virtual Horizon Worlds. Gjiganti i teknologjisë është goditur gjithashtu nga një sërë ndëshkimesh financiare ndërkombëtarisht.

Muajin e kaluar, mbikëqyrësi i konkurrencës në Turqi urdhëroi Meta-n të paguante një gjobë prej 18.63 milionë dollarësh, pasi zbuloi se bashkimi i të dhënave të përdoruesve nga Facebook, WhatsApp dhe Instagram i dha kompanisë një përparësi të padrejtë në reklamim.

Gjithashtu në tetor, shërbimi federal i Rusisë për mbikëqyrjen financiare e cilësoi Meta-n një organizatë ‘terroriste dhe ekstremiste’.