9.2 kg kanabis janë kapur në doganën e Kapshticës në tentativë për tu trafikuar në shtetin grek.
Policia vuri në pranga 64-vjeçarin S.Ç banues në Korçë.
64-vjeçari kishte fshehur drogën në bagazhin e automjetit tip “Benz”.
Njoftimi:
Finalizohet operacioni antidrogë “Restart 12”.
Faza e 12-të e këtij operacioni, zhvilluar nga Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me DVP Korçë, për parandalimin dhe goditjen e një tjetër rasti të trafikimit të lëndëve narkotike, drejt Greqisë.
Vihet në pranga transportuesi i lëndës narkotike.
Sekuestrohen 9.2 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Restart 12”. Si rezultat i tij, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– S. Ç., 64 vjeç, banues në Korçë.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë përzgjedhur për kontroll të imtësishëm në vijë të dytë, automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin e mësipërm. Si rezultat i kontrollit të ushtruar në automjet, përfshi edhe procesin e skanimit, në bagazhin e tij, në dy goma rezervë, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 pako, me peshë 9.2 kg, lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë.