Vendosni fjalën kyçe....

Inceneratorët/ Apeli rikthen në burg ish-deputetin e PS-së Alqi Bllako


Apeli i GJKKO-së ka rikthyer në burg ish-deputetin e PS-së Alqi Bllako, i cili po hetohet për dosjen e inceneratorëve.

Ai u lirua pak javë më parë e pas kësaj SPAK e ankimoi vendimin duke bërë që ish-deputeti të rikthehet në qeli.

Bllako është një nga dy zyrtarët e arrestuar për inceneratorët, përveç ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka.

Në kërkim për këtë çështje janë Klodian Zoto, Stela Gugallja e Mirel Mërtiri, të cilët qëndrojnë pas kompanisë që ka marrë me koncesion inceneratorin e Elbasanit e Fierit.

Njoftimi

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trupin gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më datë 09.11.2022 shpalli vendimin lidhur me çështjen nr. 180 akti, datë 04.11.2022 regjistrimi, në ngarkim të personit nën hetim A.B., mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundër vendimit nr. 382, datë 06.10.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 362 datë 06.10.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:

1.Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të hetuarit A.B. me objekt zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”.

2.Vazhdimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “arrest në burg”, të caktuar ndaj të hetuarit A.B. me vendimin nr. 26, datë 31.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”