Vendosni fjalën kyçe....

“Jemi më të varur nga Kina sesa nga Rusia” – Borrell


Bashkimi Evropian është shumë i varur nga Kina për furnizime që luajnë një rol vendimtar në ‘strategjinë e tij të tranzicionit të gjelbër’, tha shefi i politikës së jashtme, Josep Borrell, duke paralajmëruar se kjo gjendje mund ta bëjë Evropën të pambrojtur.

Teksa Kina është një ‘partner kryesor ekonomik’ për BE-në e Brukseli dëshiron bashkëpunim konstruktiv me Pekinin, ajo është gjithashtu një ‘rival sistemik’ dhe ky ‘rivalitet e konkurrencë janë gjithnjë e më të spikatura’ në marrëdhëniet dypalëshe, tha Borrell.

Kryediplomati tha se Kina ‘luan një rol vendimtar në shumë zinxhirë furnizimi’ dhe përbën 90% të nevojave të BE-së për magnez, 90% të kërkesave të saj për materiale të tjera dhe 80% të paneleve diellore të përdorura në bllok.

“Varësia jonë nga Kina për strategjinë tonë të tranzicionit të gjelbër është aktualisht më e lartë se varësia jonë nga karburantet fosile nga Rusia.” – pranoi Borrell.

Prandaj, BE-ja duhet të punojë në zvogëlimin e ‘varësive të tepërta’ të saj duke adresuar dobësitë e saj dhe duke forcuar elasticitetin e saj, tha ai.

BE-ja synon të bëhet asnjanëse për sa u përket ndotjeve deri në vitin 2050, duke ulur emetimet neto të gazrave serave me të paktën 55% deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990.