Ish-oficeri Arbër Paplekaj ka treguar sot përpara gjykatës si ndodhi ngjarja për të cilën akuzohet, vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan më 21 prill të vitit 2021, katër ditë përpara zgjedhjeve parlamentare.
Paplekaj thotë se atë ditë as nuk i kishte shkuar mendja se do të ndodhte ndonjë përplasje fizike.
“Në atë moment unë e disha, dhe e perceptova rrezikun por nuk kisha në mend me u përplas sepse thashë, ishte policia dhe e dyta shikosha tre njerez me armë në dore. Nuk isha budall me i ra kujt ose me u shty me kënd. Di që kam fol me një person që më është duk ma seriozi, se ka pasë xhaketë më duket, që ‘Secili në pun të vet, secili në pun të vet’.”- është shprehur ai sipas dëshmisë së tij të publikuar nga gazetari Basir Çollaku.
Paplekaj ka shtuar se kur ka parë përplasje dhe njerëz që u rrezikohej jeta, atëhere ka vepruar. Ai tregoi se ka qenë plagosja e Pavlo Vuksanit, që e nxiti të vepronte dhe i ka shpjeguar aktet e tij thjesht si “veprime robotike”.
“Kam pa Pavlo Vuksanin që humbi ekuilibrin dhe tha ‘Oh mos!’. Vetëm kam ndi ‘Mos’, bërtitje, dhe dorën mbas krytit. Në atë moment, po ju them, unë jam ba copë mishi. Nuk kam ken njeri, nuk kam ken Arbër Papleka. Jam ba copë mishi. Kam ba atë që jam trajnu, kam ba atë që jam betu, kam ba ca jam përgatit tan jetën teme. Kam mbrojt nderin tem, kam mbrojt jetën teme, jetën e shokëve të mi. Kam gjujt kur kam pa rrezik, kam gjujt kur kam pa armë. Di që kam vepru instiktivisht, di që nga momenti që kam nxjerrë armën, nga momenti që kam pa Pavlon që ka humb ekuilibrin, deri në momentin që kam shku afër parkingut ku kam marrë makinën… Unë në jetën teme kam kalu rreziqe, kam ken në Afganistan, thashë jam përplas me armë, por në jetën teme unë nuk di një moment ku unë të kem pas një… nuk e përshkruj dot me fjalë po kan ken thjesht veprime mekanike, copë mishi. Nuk ekzistonte më asgjë fiziologjike tek unë. Ishte thjesht veprime robotike, veprime për të cilat unë isha përgatit për me vepru me mbrojt veten time, kan ken instikte.”– ka deklaruar ai.
Në këtë seancë gjyqësore të mbajtur në Gjykatën e Elbasanit, Paplekaj pasi shpjegoi veten tha se është fajtor për vrasjen para vajzës së Xhuvanit. “A ndjej dhimbje në shpirt që i kam vra babën e një vajze? Po!”– është shprehur ai.
Arbër Paplekaj pret dënimin e gjykatës ndërsa rrezikon një dënim nga 20 vite burg deri në burgim të përjetshëm, për ngjarjen që përgjaku fushatën e vitit të kaluar.