Përplasje të ashpra kanë ndodhur sot në Greqi mes protestuesve dhe policisë e cila ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.
Sipas gazetës Protothema, incidente me kokteje molotovi dhe kimikate shpërthyen në Athinë dhe Selanik gjatë një tubimi, ku kishte edhe persona të maskuar.
Sindikatat kishin lajmëruar këtë të mërkurë një grevë 24-orëshe mbarëkombëtare dhe tubime në Athinë dhe në qytete të tjera të mëdha të vendit.
Mirëpo jashtë Kuvendit, ku ishin mbledhur protestuesit persona të maskuar kanë hedhur bomba molotov drejt personave të MAT-it.
E njëjta skenë ka ndodhur edhe në qendër të Selanikut, kur personat pjesëmarrës në marshim kanë sulmuar forcat e policisë MAT.
Konkretisht, gjithçka nisi në orën 12.30, kur një grup personash me fytyrë të mbuluar, sulmuan me bomba molotovi, gurë dhe sende të tjera forcat e policisë që ndodheshin në rrugën Agios Dimitriou.
Policia për t’i zmbrapsur është kundërpërgjigjur duke përdorur gaz lotsjellës ndërsa pak minuta më pas ka nisur një ndjekje në rrugët e ngushta të qytetit për arrestimin e protestuesve.
Punonjësit e policisë së ekipit të DRASI-t kanë arritur të lokalizojnë tetë të rinjtë që dyshohet se kanë marrë pjesë në këto incidente dhe janë afruar për t’i kontrolluar. Kur kanë parë forcat e policisë, personat kanë vrapuar dhe kanë hyrë në dy dyqane në rrugën Egnatia për të shpëtuar, por policia thotë se ka vazhduar t’i ndjekë dhe ka arritur t’i arrestojë. Protestuesit shkaktuan dëmtime në një dyqan komercial në Tsimiski dhe thyen kamerat e sigurisë dhe dritaren e një banke.