Vendosni fjalën kyçe....

Ron DeSantis është lideri i ri i Partisë Republikane


Nga Liz Peek

Fituesi më i madh i zgjedhjeve afatmesme ishte pa dyshim Guvernatori Ron DeSantis, fitorja dërrmuese e të cilit në shtetin e Floridës ishte befasuese, shkruan Fox News.

Humbwsi mw i madh është Donald Trump? Kandidatët besnikë tw pwrzgjedhur prej tij në një numër garash luftuan për të mposhtur demokratët vulnerabël. Edhe një herë, ish-presidenti mund t’u ketë kushtuar republikanëve kontrollin e Senatit.

Shumë do të arrijnë në përfundimin se në bazë të rezultateve afatmesme të vitit 2022, Partia Republikane është e gatshme të ecë përpara, pa Donald Trump si udhëheqës.

DeSantis shënoi një fitore në Florida që ishte një fitore për librat e rekordeve. Në kontenë Miami-Dade, një rajon të cilin presidenti Joe Biden e fitoi me 16 pikë përqindjeje në vitin 2020, guvernatori popullor e fitoi lehtësisht. Jo vetëm që kufiri i fitores ishte befasues në vetvete por ai gjithashtu përforcoi një realitet në zhvillim: votuesit hispanikë mund të jenë duke e zhvendosur aleancën e tyre afatgjatë nga demokratët te republikanët.

DeSantis fitoi sepse ai përqafoi politikat Trumpiane, qëndroi i vendosur kundër turmës së zgjuar, e udhëhoqi shtetin e tij përmes pandemisë me madhështi dhe, së fundmi, menaxhoi dëmin e tmerrshëm të shkaktuar nga uragani Ian, me kompetencë të madhe. Banorët e Floridës e shpërblenë guvernatorin popullor duke e rizgjedhur me afërsisht 19 pikë diferencë ndaj kundërshtarit të tij, demokratit Charlie Crist.

Pas daljes të rezultateve, DeSantis mbajti një fjalim fitoreje, duke vendosur shenja për atë që me siguri do të jetë një kandidim për president në 2024, duke deklaruar: “Unë sapo kam filluar të luftoj”.

Për Donald Trump, zgjedhjet rezultuan të ishin, duke përdorur fjalën e Barack Obamës, një disfatë. Në Pensilvani, Dr. Mehmet Oz, i zgjedhur me dorë nga Trump për të përfaqësuar republikanët në mbrojtjen e një vendi që lirohet nga senatori në pension Pat Toomey, humbi ndaj guvernatorit John Fetterman. Fetterman pësoi një goditje në fillim të garës, por edhe pse aftësia e tij për të bërë fushatë ishte kufizuar rëndë, ai mundi doktorin e famshëm.

Ky nuk ishte i vetmi zhgënjim i hidhur për republikanët. Në New Hampshire, senatorja aktuale Maggie Hassan, që mendohet të jetë demokratja më e cenueshme që kandidon për rizgjedhje, mbijetoi për të mbajtur vendin e saj. Rivali i saj, gjenerali në pension Dan Bolduc, ishte një tjetër kandidat i mbështetur nga Trump, i cili kishte pak përvojë politike. Bolduc u konsiderua si një goditje nga distanca dhe nuk mbështetej shumë nga struktura e republikanëve, por sondazhet treguan se ai po binte gjatë javëve të fundit të garës.

Në Arizona, në mënyrë të ngjashme, kandidati për Senat, Blake Masters, një tjetër i zgjedhur i Trump, nuk arriti të mposhtte demokratin aktual Mark Kelly. Masters ishte gjithashtu një rishtar politik. Ai u mbështet nga një tjetër bashkëpunëtor i Trump, kandidati për guvernator Kari Lake.

Është e vërtetë që në Ohajo, JD Vance, i lidhur me Trump, fitoi kundër demokratit Tim Ryan, dhe në Xhorxhia, Herschel Walker, i mbështetur nga Trump, duket se e ka çuar senatorin aktual Raphael Warnock në një balotazh. Por të dy këta kandidatë të Senatit u ndihmuan nga guvernatorët e njohur, të cilët i tërhoqën lehtësisht drejt fitores.

Që në ditët e para të zgjedhjeve afatmesme, kritikët e Trump akuzuan ish-presidentin për manipulim të garës me synimin për ndriçuar emrin e tij në vend që t’i jepte prioritet fitimit të ulëseve për Partinë Republikane. Ai mbështeti kandidatët që ishin personalisht besnikë ndaj tij dhe që mbështetën pretendimin e tij se zgjedhja e Joe Biden ishte e paligjshme.

Trump jo vetëm që zgjodhi kandidatë më pak të aftë, por gjithashtu mbajti paratë e nevojshme për të financuar fushatat e tyre. Ish-presidenti e filloi garën me një buxhet fushate më shumë se 125 milionë dollarë; është e paqartë se sa ka shpenzuar në të vërtetë.

Zgjedhjet afatmesme nuk ishin një dështim total për republikanët. Ata duket se kanë fituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, gjë që do t’i lejojë ata të vënë frenat në agjendën e dëmshme socialiste të Joe Biden.

Duke helmuar më tej markën e tij, Trump ditët e fundit ka sulmuar Ron DeSantis, të cilin me të drejtë e sheh si sfiduesin e tij më të madh në një kandidim të mundshëm për Zyrën Ovale në 2024. Ai e nënçmoi duke e quajtur “DeSanctimonious”, duke i dhënë guvernatorit të Floridës një prej pseudonimeve të llojit të tij që – si Sleepy Joe – ndonjëherë kanë ngjitur. Trump gjithashtu kërcënoi në mënyrë fëminore se nëse DeSantis vendos të hedhë kapelën e tij në ringun e 2024-ës, Donald do të zbulojë informacione jo të këndshme për guvernatorin.

Trump mund të jetë gati të luajë pisët për të fituar nominimin në 2024. Nëse e bën këtë, ai jo vetëm që do të çimentojë përbuzjen me të cilën shumë në partinë e tij e shohin atë sot por ai do të djegë përsëri shanset e republikanëve për të mposhtur demokratët.

Le të shpresojmë që miliona amerikanë që kanë mbështetur Trump në 2016 dhe përsëri në 2020 të fillojnë të shohin se koha e tij ka kaluar. Nëse u pëlqejnë politikat e tij, ata duhet të lëvizin besnikërinë e tyre drejt Ron DeSantis, i cili nuk ka humbur kurrë një fushatë dhe që doli fituesi i madh në zgjedhjet afatmesme.

***

Liz Peek është një kontribues e Fox News dhe ish-partner e firmës kryesore të Wall Street Wertheim & Company. Një ish-kolumniste për Fiscal Times, ajo shkruan për The Hill dhe kontribuon shpesh në Fox News, New York Sun dhe botues të tjerë.