Deputeti i PD-së Ervin Salianji ka reaguar për mediat jashtë parlamentit, pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama ndaj tij lidhur me gjyqin e sotëm.
Salianji tha se nuk trembet nga mbrojtja e interesit publik pavarësisht se sipas tij kryeministri i vendit iu drejtua me një “gjuhë rrugaçi” dhe e kërcënoi.
“Asnjë nga këto nuk ndodhi sepse kryeministri në ditën që duhej të kujdesej për qytetarët u kujdes për një tjetër megaaferë korruptive. Kërkon të marrë mijëra metra katrorë tokë dhe miliona dollarë për t’i kaluar në xhepat e njerëzve afër tij.
E dëgjuat me një gjuhë rrugaçi e ordinere si i drejtohej opozitës. Pa diskutim ngjarja tjetër e cila është paralajmëruar, se si kryeministri nga foltorja e parlamentit mendon se më kërcënon që e ka hapur vetë. 20 minuta pasi kryeministri e bëri këtë kërcënim, Gjykata e Apelit solli një njoftim që për të njëjtat kërkesa procedurale, duke ndjekur një standard tjetër. Do jemi në proces gjyqësor nëpërmjet avokatit.
As më tremb e as më tut që të tërhiqem nga mbrojtja e interesit publik dhe dinjitetit të kujtdo që është në atë sallë, me këto kërcënime. I drejtohet me atë gjuhë si i shfazuar. Mendon se është me ata që ka rreth e rrotull që i komandon dhe i sjell vërdallë si kukulla. Shqetësimi kryesor i kryeministrit me sa duket është dhe protesta e 12 nëntorit, për të cilën gjej rastin të ftoj çdo qytetar që t’i bashkohet. Përballja do të bëjë që një kryeministër që është i shfazuar dhe kontrollin çdo institucion të vijë në binarë.”– u shpreh Salianji.
Ky reagim i Salianjit vjen pas përplasjes së tij në Parlament me kryeministrin Rama i cili i tha që të bëjë kujdes.
Ai i tha Salianjit se është bedel dhe se nuk ka dinjitet.
“Ti bëjë kujdes, shiko proceset që ke. Po të informoj se dje kam fituar një proces tjetër për shpifje. Të uroj suksese me procesin që ke atje. Jeni kryebedel, ti je një bedel pasionant. Ti je si mizë nën të ndenjurat e kalit që kujton se tërheq karrocën. Ti qëndro atje dhe luaj rolin e shqiponjës duke tundur flatrat e një mize të bezdisshme. Rri aty se ke dhe ditë të vështirë sot. Kujdes me fjalorin. Ju bedel, nuk keni fe, nuk keni imam, nuk keni flamur, nuk kemi dinjitet, nuk keni asgjë”- tha Rama.