“A mund të më përmendni ju 3-4 emra oligarkësh?”- kjo është pyetja që i drejtoi gazetari Poli Hoxha ish kryeministrit Sali Berisha në një intervistë në programin “Ora e Betit” në RTV Ora.
Por Berisha nuk përmendi asnjë emër. Ai tha se i ka denoncuar vazhdimisht se se krijimi i oligarkëve sipas tij është vepër e kryeministrit Edi Rama. Berisha u shpreh se kur ishte vetë kryeministër nuk ka favorizuar asnjërin prej tyre.
Pjesë nga biseda në studio:
Poli Hoxha: Ju zoti Berisha, a mund të më përmendni mua 3-4 emra oligarkësh? E kemi bërë dhe si gogol, por fjalori i Oxford-it ‘oligark’ e shpjegon se ‘iu bien pasuritë në prehër’. Dhe ne faktikisht po e shohim se si pronat në bregdet, në mes të Tiranës po iu bien në prehër disa individëve. Nuk do shumë mend, e shikojmë duke ecur në Tiranë, kush e ka këtë kullë, kush e ka atë. Unë jam pro biznesit zoti Berisha, por ky lloj biznesi kthehet në shërbim të një qeverie të këtij lloj, ku shqiptarët po ikin, unë mendoj se denoncuar emrat e oligarkëve. Këtu pjesën e madhe e ke nga ata që janë në oborrin e kryeministrit Rama.
Sali Berisha: Tani cili është mendimi im? Së pari për mua krijimi i tyre është kryekëput, në vlerësimin tim, vepër e kryeministrit Edi Rama. Unë mund të them një gjë, në mënyrë absolute asnjë biznesmen.. (dhe unë jam pro biznesit) por nuk mund të më thotë kush se i kam bërë një favor të paligjshëm njëri prej biznesmenëve të madh, edhe nëse kanë kërkuar diçka.
Poli Hoxha: E lëmë kohën kur keni qenë kryeministër…
Sali Berisha: …Por si kam penguar kurrë në investimet që kanë bërë dhe i kam vlerësuar investimet e tyre. Të gjitha të tjerat, që kanë ndodhur pas largimit tim nga pushteti, sipas rastit i kam denoncuar të gjithë, por i quaj vepër në radhë të parë e Edi Ramës.