Vendosni fjalën kyçe....

“Absolutisht nuk ishim të dehur, por të revoltuar” – Paloka pas incidentit në Kuvend


Deputeti i PD-së Edi Paloka i ka hedhur poshtë pretendimet e maxhorancës se ai ishte i dehur sot në Kuvend.

Në një prononcim për “ABC News” Paloka tha se thjesht ishte i revoltuar me qëndrimin që mbajti kryeministri Edi Rama një ditë më parë ndaj deputetëve të opozitës.

Ai tha se s’mund ta lejonte Ramën t’i fyente kolegët prandaj kur ai hyri në sallë, i tha disa fjalë.

 “Absolutisht nuk kemi qenë të dehur. Por kemi qenë të revoltuar absolutisht po. Unë nuk isha në seancën e ditës së mërkurë, kur Edi Rama përdori një gjuhë rrugaçi në Parlament, ndaj kolegëve të mi parlamentarë. Sot kur ai hyri në seancë për votimin, thjesht gjeta mundësinë t’i kujtoja kush ka qenë dhe kush është. Mbase nga ata deputetë që janë në Parlament, e njoh pak më shumë Edi Ramën qëkur ka qenë i ri dhe nuk mund t’i lejoj vetës dhe demokratëve të na fyej një njeri si ai. Është më minimalja që mund të bëj për demokratët të çoj nderin dhe dinjitetin e tyre në vend.”- tha Paloka.

Ai shtoi se duhej të ishte përjashtuar Rama një ditë më parë për gjuhën që përdori, pasi e dëgjuan të gjithë shqiptarët në ekran.

“Do të duhej që të ishte përjashtuar Edi Rama për atë gjuhë prej ordineri që përdori një ditë më parë. Janë fyerje që i kanë parë dhe dëgjuar të gjithë shqiptarët. Në ekran. Live. Këtë duhet të shohin socialistët.”– tha Paloka.