Drejtuesit e SPAK-ut, Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesit e policisë spanjolle zhvilluan sot një konferencë të përbashkët për të dhënë detaje në lidhje me aksionin policor të kryer dy ditë më parë mes Shqipërisë dhe Spanjës në disa Call Center-a në vend.
Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja tha se operacioni është drejtuar nga EUROJUST dhe hetimi është shtrirë për një periudhë kohore prej një viti.
Në hetim janë përfshirë në total 8 vende, midis tyre Shqipëria, Spanja, Ukraina, Letonia, Finlanda dhe Suedia.
“SPAK në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Shtetit ka më shumë se një vit që skemën abuzive të një grupi të organizuar kriminal në fushën e mashtrimit përmes kriptomonedhave. Të përfshirë 8 shtete, Suedi, Shqipëri, Finlandë, Gjeorgji, Gjemani, Letoni, Spanjë dhe Ukrainë. Në një hetim të përbashkët kundër një aktivitet kriminal të shtrirë në shumë shtete. Jemi të vendosur për t’i hetuar këto aktivitete.”- tha Kraja.
Shef i Guardia Civil në Katalonja, Manuel Martines, nga ana tjetër falenderoi autoritetet shqiptsare për bashkëpunimin.
“Dua të falënderoj të gjitha autoritetet shqiptare, ashtu si edhe mediat e pranishme. Të transmetojmë suksesin që arritëm në kët6ë aktivitet të përbashkët mes policive të vendeve të ndryshme. Krimi i Organizuar nuk ka kufij dhe hetimi që zhvillohet nga trupa policore nuk kufizohet. Kemi arritur këtë rezultat duke u nisur nga viktimat spanjolle që zbuluan këta kriminelët. Bëhet fjalë për një operacion që shtrihet më tej sesa kufijtë e Shqipërisë. Është zhvilluar edhe në vend të tjera. Suksesi i operacionit është bashkëpunimi mes autoriteteve të vendeve të ndryshme.”- tha Martines.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku gjatë fjalës së tij, paralajmëroi për krijimin e një strukture të posaçme në policinë kriminale për krimet kompjuterike.
“Kraja na ka mundësuar të gjitha facilitetet për të arritur rezultate konkrete sikurse është dhe ky operacion. Është krijuar një terren i zakonshëm që krimi, kryesisht ai mbi baza inteligjente të gjejë shtrirje në gjithë botën. Policia e Shtetit është në sfidë për ta çmontuar atë. Jemi duke punuar për të rialokuar burimet tona njerëzore si dhe të përshtatim strukturat në këtë adresim të ri. i kemi vënë vetes objektiv që fillimi i vitit që vjen të na gjejë me një strukturë të dedikuar hetimore. Situata e fundit me sulmet kibernetike na ka imponuar që krimin kibernetik ta trajtojmë si prioritet. Do të shumëfishojmë kapacitetet njerëzore. Nga ana tjetër kemi filluar një përzgjedhje të personave të trajnuar posaçërisht.”– tha ai.
Policia e Shtetit dhe SPAK kanë dhënë sot të tjera detaje nga operacioni ndërkombëtar për mashtrime kompjuterike.
Në njoftimin zyrtar thuhet se dëmet nga këto mashtrimi kapnin vlerën e rreth 50 mln euro çdo tre muaj. Numri i personave që kanë rënë pre e mashtrimit në internet llogaritet në qindra-mijëra persona, të cilët janë kryesisht shtetas të vendeve europiane.
NJOFTIMI I POLICISË
Konferencë e përbashkët nga Policia e Shtetit, SPAK, Policia dhe autoritetet gjyqësore spanjolle, për goditjen e veprimtarisë kriminale në subjektet call center, në kuadër të operacionit të drejtuar nga EUROJUST.
Në datat 8.11.2022 dhe 9.11.2022 është finalizuar operacioni ndërkombëtar “FRIDA-REFOX”, nga skuadra e përbashkët hetimore, e koordinuar nga EuroJust, me seli në Hagë, Hollandë.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, ekspertët e krimeve kibernetike të Policisë spanjolle Guardia Civil dhe Mossos d’Esquadra dhe me Byronë Kombëtare të Hetimit, në Shqipëri, u zhvillua operacioni ndërkombëtar i koordinuar me shtetet Bullgari, Finlandë, Gjeorgji, Gjermani, Letoni, Maqedoni e Veriut, Spanjë, Suedi dhe Ukrainë.
Njësia “C” – Hetimi i Krimit Kibernetik, në fillim të vitit 2020, ka regjistruar një procedim penal, në bazë të informacioneve të marra nga shteti i Spanjës, në fushën e mashtrimit kompjuterik dhe më saktësisht në lidhje me call center-at, punonjësit e të cilëve mashtronin nëpërmjet sistemeve kompjuterike, shtetas të huaj, kryesisht spanjollë.
Nga viti 2021 dhe në vazhdimësi, SPAK ka marrë disa letër-porosi, në të cilat bëhej fjalë për subjekte që dyshoheshin të përfshira në këtë aktivitet kriminal dhe se viktimat ishin shtetas europianë nga vende si Gjermania, Spanja, Finlanda dhe Austria etj.
Pas ekzekutimit të letër-porosive, EuroJust lehtësoi bashkëpunimin gjyqësor në këtë rast, duke krijuar dhe financuar një skuadër të përbashkët hetimore, të ngritur me kërkesë të autoriteteve suedeze dhe duke përfshirë edhe Shqipërinë, Finlandën, Gjeorgjinë, Gjermaninë, Letoninë, Spanjën dhe Ukrainën.
Nga të dhënat e hetimeve të autoriteteve gjyqësore pjesëmarrëse në këtë skuadër të përbashkët hetimore, tregonin për implikimin e shtetasve dhe kompanive shqiptare. Për këtë arsye, SPAK ka regjistruar procedimin penal Nr.301, të vitit 2021, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Nga hetimi i përbashkët ka rezultuar se numri i viktimave të këtij mashtrimi të madh në internet llogaritet në qindra-mijëra persona të cilët janë kryesisht shtetas të vendeve europiane.
Të dyshuarit i përkasin një rrjeti kriminal me emërtimin OCG, që dyshohet të jetë i përfshirë në fushën e mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet sistemeve kompjuterike, duke përdorur për vjeljen e të ardhurave, kriptovalutat etj. Rrjeti kriminal përdori dhjetëra qendra telefonike (call center) në disa vende dhe qindra platforma në rrjet, për të kryer mashtrimet kompjuterike.
Të dyshuarit u paraqitën si ndërmjetës që do të ndihmonin investitorët të fitonin shuma të mëdha parash me investime të vogla. Në realitet grupi i strukturuar kriminal i mashtroi viktimat, duke fituar besimin e tyre në internet dhe duke ngritur profesionalisht qendra telefonike (call center) ose mënyra të tjera të të ashtuquajturës “Inxhinieri sociale”. Kjo i inkurajoi viktimat të investonin nëpërmjet platformave të internetit të kontrolluara nga grupi i strukturuar kriminal, duke shkaktuar humbjen e shumave të mëdha të parave.
Për ilustrim disa nga platformat e përdorura janë: Absolut Global Markets, AurumPro, Finaxis, SNP Broker, CapitalMarketsBanc, FXNobel, Cryptokartal, Centrobanc, GoldmanBank, TopTradePro, GSI-MARKETS etj.
Shkalla e hetimeve të ndjekura në këtë rast është e paprecedentë deri më tani. Sipas hetimeve, qindra mijëra investitorë në të gjithë botën kanë rënë viktima të mashtrimit. Dëmi i shkaktuar llogaritet në rreth 50 milionë euro, në çdo tre muaj.
Gjatë këtyre hetimeve janë kryer trembëdhjetë takime koordinuese të mbajtura me qëllim koordinimin e hetimeve kombëtare si dhe për t’u përgatitur për ditën e veprimit. Për më tepër, Eurojust lehtësoi ekzekutimin e urdhër-arresteve ndërkombëtare, urdhrave të hetimit europian dhe letër-porosive për vendet e treta.
Për të mbështetur ditën e veprimit, më 8 dhe 9 nëntor 2022, Eurojust ngriti një qendër koordinimi për të mundësuar bashkëpunimin e shpejtë midis autoriteteve ligjzbatuese të përfshira në këtë operacion.
Si rezultat i këtij operacioni ndërkombëtar, në Shqipëri janë kontrolluar qendrat e thirrjeve apo ambiente të tjera, në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, të cilat gjatë periudhës hetimore kanë patur dhe ndryshime vendndodhjesh, emërtimesh, por dhe bashkime më njëra-tjetrën, për efekt të fshehjes nga organet ligjzbatuese.
Janë kryer 11 kontrolle në qendrash thirrjesh dhe banesa.
Janë arrestuar/ndaluar 4 shtetas të dyshuar (2 nga SPAK dhe 2 në bazë të kërkimit ndërkombëtar), si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas të tjerë (3 nga SPAK dhe 3 në bazë të kërkimit ndërkombëtar), si organizatorë të këtij aktiviteti kriminal.
Janë sekuestruar:
– Rreth 300 pajisje kompjuterike, laptop, usb, hard disqe;
– Prova të tjera dixhitale dhe dokumente të shumta;
– Portofole kriptovalutash në vlerën afërsisht 15.000 USD dhe cash 90.000 euro;
– Dokumente identifikimi të shtetasve lituanezë dhe gjeorgjianë, karta banke lituaneze etj.
Në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjyqësore pjesëmarrëse në këtë skuadër të përbashkët hetimore, bazuar në provat e sekuestruara, të cilat po analizohen, po vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal.
Detajet për krijimin e skuadrës së përbashkët hetimore dhe rezultatet e këtij operacioni ndërkombëtar, janë dhënë në një komunikatë për shtyp të Eurojust, në datën 10.11.2022.