Fshati Salto de Castro, në Spanjën veriperëndimore, është në shitje dhe çmimi i kërkuar është 260 mijë €.
I vendosur në kufirin me Portugalinë në provincën e Zamora-s dhe tre orë me makinë nga Madridi, Salto de Castro ka shumë ndërtesa që mund t’i gjeni edhe në një qytet të vogël spanjoll. Ato përfshijnë 44 shtëpi, një hotel, një kishë, një shkollë, një pishinë komunale dhe madje edhe një ndërtesë kazerme që dikur strehonte rojet civile. Por ajo që nuk ka janë banorët.
Salto de Castro është braktisur për më shumë se tre dekada. Siç shkruan BBC, pronari e bleu fshatin në fillim të viteve 2000, me synimin për ta kthyer në një pikë turistike. Megjithatë, kriza e eurozonës pengoi lulëzimin e planit.
“Pronari kishte ëndrrën për të pasur një hotel këtu, por gjithçka u pezullua.”– tha Ronnie Rodríguez, nga Royal Invest, kompania që përfaqëson pronarin. “Ai do të donte ende që projekti të realizohej”.
Në faqen e Idealista-s në të cilën figuron prona, pronari rreth të 80-tave shprehet se “Po e shes sepse jam banues urban dhe nuk mund të mirëmbaj” fshatin.
BBC shkruan se ka patur më shumë se 50 mijë vizita që kur fshati u listua një javë më parë me këtë çmim.
Rodríguez tha se 300 njerëz kanë shprehur interes për blerje, nga Rusia, Franca, Belgjika dhe Britania e Madhe. Ai tha se një blerës potencial ka vënë tashmë para për ta rezervuar.
Salto de Castro u ndërtua nga kompania e prodhimit të energjisë elektrike Iberduero për të strehuar familjet e punëtorëve që ndërtuan rezervuarin ngjitur, nga fillimi i viteve 1950. Por banorët u larguan pas përfundimit të tij dhe fshati u braktis plotësisht në fund të viteve 1980.
Zona që e rrethon është pjesë e asaj që është bërë e njohur si “Spanja e zbrazur” – zona rurale me popullsi të rrallë të cilave u mungojnë shumë nga shërbimet që gjenden në qytete dhe qytete.
Salto de Castro është nxjerrë në shitje edhe më parë, për 6.5 milionë euro. Megjithatë, pa blerës dhe shumë prej ndërtesave të vandalizuara, çmimi ka rënë. Çmimi i kërkuar prej 260 mijë Euro është i mjaftueshëm vetëm për një apartament me një dhomë gjumi në zonat e bukura të Madridit ose Barcelonës.
Por blerësi i Salto de Castro mund të ketë nevojë për shumë para, të paktën për të tërhequr vizitorë.
Sipas Idealista: “Investimi i kërkuar për ta bërë fshatin 100% të realizueshëm dhe për t’u bërë fitimprurës nuk do të kalonte 2 milionë euro.”