Vendosni fjalën kyçe....

Garda rrethon foltoren, Kuvendi merr masa ndaj Palokës dhe Leskajt: Bënë gjeste të pahijshme se kishin pirë


Seanca maratonë në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me momente tensione, pas të cilave maxhoranca ka kërkuar përjashtimin me 10 ditë të deputetëve të PD-së Bujar Leskaj dhe Edi Paloka.

Kjo me argumentin se “për shkak të konsumit të pijeve alkoolike, dy deputetët bënë veprime të pahijshme dhe përdorën nje fjalor banal” gjatë procesit të votimit.

Çfarë ndodhi?

Kur seanca parlamentare u ndërpre që teknika të bëhej gati për të votuar tre projektligjet e paketës fiskale dhe Buxhetin e vitit 2023, një incident ndodhi mes kryeministrit Edi Rama dhe dy deputetëve të PD-së.

Është e paqartë se për çfarë deputetët e PD-së, Bujar Leskaj dhe Edi Paloka janë konfliktuar me kryeministrin por në një moment punonjësit e Gardës së Republikës kanë rrethuar foltoren.

“A ka mundësi që këta të dy të dalin jashtë, të përjashtohen?”– i drejtohet Rama kryeparlamentares Lindita Nikolla.  Ajo i përgjigjet: “Një sekondë”.

Maxhoranca pas këtij incidenti ka kërkuar përjashtimin me 10 ditë nga Kuvendi të dy deputetëve. Në një njoftim thuhet se kjo masë do të merret nga Kuvendi për shkak se dy deputetët bënë veprime të pahijshme dhe përdorën një fjalor banal gjatë procesit të votimit ndërsa ishin në gjendje të dehur.

“Kuvendi i Shqipërisë bazuar në Rregulloren e vet do të marrë masa disiplinore me përjashtim 10 ditor nga punimet, për deputetët Edi Paloka dhe Bujar Leskaj.

Për shkak të konsumit të pijeve alkoolike, dy deputetët bënë veprime të pahijshme dhe përdorën nje fjalor banal gjatë procesit të votimit.”- thuhet në njoftimin e maxhorancës.