Vendosni fjalën kyçe....

Musk i thotë stafit të “Twitter”-it se s’ka më punë nga shtëpia


Elon Musk i ka thënë stafit të Twitter-it se puna në distancë do të përfundojë dhe se do të vijnë “kohë të vështira“.

Sipas një raporti të Bloomberg, në një email drejtuar stafit, pronari i kompanisë së rrjetit social tha se punëtorët do të priten në zyrë për të paktën 40 orë në javë.

Musk shtoi se nuk kishte asnjë mënyrë për të fshehur faktin se ngadalësimi i ekonomisë globale do të godiste të ardhurat nga reklamat e “Twitter”.

Siç shkruan BBC, kompania me bazë në San Francisko i tha stafit të saj në maj 2020 se ata mund të punonin nga shtëpia “përgjithmonë” nëse dëshironin, sepse kompania besonte se masat e saj të punës në distancë të vendosura gjatë pandemisë, kishin qenë një sukses.

Por Musk nuk është një fans i punës në distancë. Në qershor, Musk, i cili gjithashtu është shefi i Tesla-s, i tha stafit të prodhuesit të makinave elektrike se puna në distancë nuk ishte më e pranueshme.

Ashtu si në Tesla, sipërmarrësi tha se do të jepte përjashtime vetëm personalisht për stafin e Twitter-it që dëshiron të punojë në distancë.

Njeriu më i pasur në botë ka njoftuar tashmë se gjysma e stafit të Twitter do të pushohen nga puna, një javë pasi ai bleu kompaninë në një marrëveshje prej 44 miliardë dollarësh.