Vendosni fjalën kyçe....

Osmani dhe Kurti: Propozimi franko-gjerman bazë për diskutime të mëtejshme. Vuçiç: Nuk besoj se do ketë takim me Kurtin


“Propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme [në dialogun Kosovë Serbi]”.

Kështu kanë deklaruar presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti gjatë takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, thuhet në komunikatën e përbashkët të lëshuar nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës.

Në komunikatën e 10 nëntorit thuhet se Osmani dhe Kurti e falënderuan presidentin Macron për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e procesit të dialogut.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka konfirmuar më 3 nëntor ekzistimin e planit franko-gjerman, që është raportuar se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Më herët Macron u takua edhe me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç

Pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, ai tha para gazetarëve në Paris se ka ekzistuar mundësia që takimi të ndodhë, mirëpo tashmë nuk beson më, duke mos dhënë më shumë detaje.

Vuçiç tha, gjithashtu, se presidentit francez ia ka përcjellë “zhgënjimin e popullit tonë në Kosovë sepse ajo që ishte premtuar nuk u realizua”.

“Nuk ka arsye për të qenë optimist me Prishtinën. Macronit i thashë se ne po kërkojmë vetëm targa neutrale ndaj statusit, siç është në marrëveshje”, tha Vuçiç.

Ai, po ashtu, deklaroi se i ka treguar presidentit francez se cilat janë kushtet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, pa treguar detaje.

“Por, ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më pas”, ka shtuar Vuçiç, duke iu referuar kërkesës së Serbisë që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.