Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas debatit që pati në Kuvend me dy deputetët e PD-së, Edi Palokën dhe Bujar Leskajn.
Në një postim në Twitter, Rama shprehet se seanca u mbyll me dy të dehur nga Foltorja të cilët sipas tij shanë me “libër shtëpie”.
Rama thotë se në 28 orë diskutime, asnjë nga partitë opozitare nuk pranuan që ka luftë në Ukranë dhe asnjë nuk foli për lidhjen e luftës me krizën ekonomike.
“Pas 28 orësh seancë diskutimesh për #Buxhetin2023 as PD, as PF dhe as PL (Partia e Lekut) nuk pranuan që ka luftë, nuk folën për asnjë lidhje mes luftës së Putinit, krizës së çmimit të energjisë dhe inflacionit të luftës, nuk thanë asnjë llaf për 1/2milionë USD të marra nga rusët!
Seanca u mbyll me dy të dehur nga rruga e Foltores që shanë me libër shtëpie në emër të popullit dhe mbetën pa bërtitur ‘Shqipëria në Rrezik!’ se harruan tekstin prej alkoolit! 3 parti bedelësh pa atdhe, pa din e as iman, me dy të shitur në ballë e dyzet të shkalafitur vërdallë!”– shkruan Rama.
Më herët lidhur me incidentin reaguan dhe Paloka e Leskaj, të cilët mohuan kategorikisht se ishin të dehur por u shprehën të revoltuar me sjelljen e kryeministrit një ditë më pasi.